Uxoricide

Burra që vrasin gra, 51 kurorëzime që dërguan në fatalitet

51 gra janë vrarë nga bashkëshortët e tyre qysh nga pas lufta në Kosovë. Rrahje deri në vdekje. Therrje me thikë. Goditje me shufra metali. Plumb nga tyta e armës. Janë vetëm disa nga format se si 51 burra vendosën t’u japin fund jetëve të atyre më të cilat dikur vendosën kurorë.

Burra që vrasin gra, 51 kurorëzime që dërguan në fatalitet

Gjykata Themelore në Gjakovë ka dënuar të hënën me 24 vjet e gjysmë burg, Pjetër Ndrecaj, i cili qëlloi për vdekje gruan e tij, Valbona Marku dhe vajzën nëntë vjeçare.

Ky ishte vendimi i dytë i gjykatës në Gjakovë për këtë rast pasi një vendim i vitit të kaluar për burgim të përjetshëm ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Kjo ulje dënimi për Ndrecajn, ka sjellë shqetësim në Rrjetin e Grave të Kosovës të cilat kundërshtuan shmangien e dënimit të përjetshëm për burrin që vrau gruan dhe vajzën e tij.

Ngjarja kishte ndodhur në gusht të vitit 2018.

Nga 2018 e deri më sot edhe 10 grave u erdhi vdekja nga ata që zgjodhën si partner të jetës.

E fundit, ishte ajo e 25 korrikut të këtij viti, kur një burrë qëlloi gruan e tij me shufër metali.

E 51-ta me radhë qysh nga viti 2000 thonë nga Policia e Kosovës, të pyetur nga Gazeta Online Insajderi.

Sipas po këtyre statistikave të policisë, viti 2008 ishte viti më i errët, me plotë tetë vrasje të grave nga burrat e tyre.

Vrasja e para dy muajve alarmoi edhe një herë opinionin kosovar.

Edhe shumë gra me influencë politike në vend reaguan për këtë fenomen shqetësues.

Ndër vite, janë organizuar edhe protesta kundër uksoricid-it që ndodhë në Kosovë.

Veç protestave të organizuara nga grupe të ndryshme edhe Qeveria e Kosovës ka formuar një Agjenci për Barazi Gjinore e cila si fokus e ka mbrojtjen e të drejtave të grave.

Në një deklaratë për Insajderi.com, kjo agjenci thotë se përkundër se janë krijuar shumë mekanizma ligjore për mbrojtjen e të drejtave të grave – përfshirë edhe dhunën që ushtrohet mbi to nga burrat, prapëseprapë, zbatimi i këtyre ligjeve të nxjerra jetësohet vetëm në bashkëpunim mes institucioneve.

“Përkundër sfondit të begatshëm legjislativ dhe krijimit të një sërë të mekanizmave për adresimin e dhunës në baza gjinore, gratë mbesin në numër të konsiderueshëm më të lartë viktima të dhunës në familje dhe formave tjera të dhunës në baza gjinore”, thuhet në deklaratë.

Por, sipas kësaj agjencie është sfidë fakti se dënimet për akterët e dhunës në familje janë minimale. Në raste të caktuara nuk ka fare dënime nga organet kompetente.

“Sfidë kyçe e identifikuar për qasjen e grave në drejtësi është edhe shtyrja në zbatimin dhe lëshimin e urdhrave mbrojtës në rastet e dhunës në familje, lëshimin nga gjykatat e dënimeve të buta ose fare për rastet e recidivistëve të dhunës në familje, lëshimin e limituar të vetëm disa masave të parapara”, thuhet nga Agjencia për Barazi Gjinore nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës.

Edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Blerta Deliu, për Gazetën Online Insajderi, ka thënë se ekziston një diskurs përçmimi ndaj gruas dhe në të njëjtën kohë ka mungesë të ndëshkimit ligjor ndaj atyre që kanë këtë qasje primitive ndaj grave.

“Diskursi publik që nxit përçmim ndaj grave, i shoqëruar me mungesën e theksuar të ndëshkimit ligjor, ndikojnë në përforcimin e nocionit të gabuar për gratë si një klasë e nënshtruar ndaj superioritetit mashkullor. Mos reagimi efikas i sistemit të drejtësisë stimulon abuzuesit duke e besuar këtë çështje si private e familjare dhe jo vepër penale. Prandaj, veprimi ligjor mbetet krucial në parandalimin e dhunës ndaj grave dhe bindjen e burrave dhunues ndaj ligjit”, ka thënë Deliu.

Deputetja ka kritika edhe tekstet shkollore të cilat, sipas saj, e legjitimojnë gjuhën seksiste dhe rrjedhimisht kjo gjuhë reflekton në dhunë fizike e në 51 raste të tjera çoi edhe tek vrasja.

“Sistemi arsimor duhet gjithashtu t’i kushtojë rëndësi edukimit që ndërton raporte të shëndosha mbi barazinë gjinore. Ne kemi qenë dëshmitar se si në tekste të caktuara shkollore ushqehej maskuliniteti gjinor. Është një gamë e gjerë faktorësh që duhet t’i trajtojmë me seriozitet si shoqëri për të krijuar masën kritike ndaj kësaj dukurie, e cila dita ditës po gjejnë shtrirje dhe eskalon në ekstremet e saj, siç është shpeshtimi i rasteve të vrasjeve të grave si pasojë e dhunës në familje”, përfundoi Deliu.

Gratë nuk pësojnë vetëm nga burrat e tyre.

Më 10 gusht në Ferizaj një 62 vjeçar vrau nënën e tij 83 vjeçare.

Pa dallim moshe, dhuna ndaj grave mbetet problem i shoqëror që meriton aktivizëm shoqëror e reagim institucional dhe ndëshkim ligjor. /Insajderi.com