“Burundi e ka tërhequr edhe zyrtarisht njohjen për Kosovën”

“Burundi e ka tërhequr edhe zyrtarisht njohjen për Kosovën”

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, është takuar sot me homologun e tij nga Burundi, Alain Aime Nyamitwe, ku siç citojnë mediet serbe, ai edhe zyrtarisht ka marrë notën verbale për tërheqjen e njohjes së Pavarësisë së Kosovës nga shteti i Burundit.

“Pas diskutimeve për situatën aktuale dhe fakteve tona të paraqitura, jam i lumtur që pranova edhe notën verbale për tërheqjen e njohjes së Kosovës. Nuk është aq shumë për notën verbale aq sa është për përmbajtjen e saj. Ky është një tekst serioz politik” deklaroi Daçiq në një konferencë për media pas takimit me homologun e tij nga Burundi.

Sipas Daçiq, “një padrejtësi historike ndaj Serbisë është përmirësuar me këtë akt”, shkruan lajmi.net.

E nga ana tjetër, Ministri i Jashtëm i Burundit deklaroi se deri te tërheqja e njohjes erdhi pasi që një vendim i tillë ka qenë kundër parimeve të politikës së jashtme të shtetit të tij.

“Arsyeja kryesore është që të sigurohemi se kjo dhe vendimet e tjera janë në një vijë me politikën tonë të jashtme. Shqetësimi jonë qëndronte në vendimin për njohjen ose jo të Kosovës. Por pse duhet ta bëjmë një gjë të tillë nëse kjo është kundër parimeve tona të politikës së jashtme. Nëse nga analizat tona, rezultatet do të ishin ndryshe, ne gjithsesi se do të vepronim në atë mënyrë”, deklaroi Nyamitwe.

Ndryshe, ky shtet e kishte paralajmëruar tërheqjen e njohjes së Pavarësisë së Kosovës edhe më herët, ndërkaq një qëndrim i tillë i ishte kumtuar edhe autoriteteve kosovare pas deklaratave të dy zëvendësministrave të Jashtëm, Anton Berishës dhe Gjergj Dedaj, se njohja nga lloji i shteteve si Burundi, nuk çon asnjë peshë për Kosovën./Lajmi.net/