Burundi thotë se nuk e njeh më Kosovën – MPJ ka një qëndrim tjetër

Burundi thotë se nuk e njeh më Kosovën – MPJ ka një qëndrim tjetër

Shefi i diplomacisë së Burundit, Alan Aime Njamitve, pas bisedimeve me ministrin serb Ivica Daçiq,  gjatë ditës së djeshme ka njoftuar se vendi i tij ka tërhequr njohjen ndaj shtetit të Kosovës. Madje Daçiq ishte shprehur i lumtur për lajmin që kishte marrë nga Njamitve.

Por sot gjatë ditës fjalë të tjera ka pasur Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, e cila përmes një komunikate për media ka mohuar të ketë pranuar ndonjë shkresë për një tërheqje të tillë.

“Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka pranuar asnjë dokument zyrtar nga Republika e Burundit, që do të mund të konsiderohej në kundërshtim me Notën Verbale për njohjen e Republikës së Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran nga ana e Republikës së Burundit më datën 16 Tetor, 2012”, thuhet në reagimin e MPJ.

Daçiq gjatë ditës së djeshme ka thënë se është i lumtur pas lajmit që mori për tërheqjen e njohjes së Kosovës nga Burundi.

“Jam i lumtur sepse kam pranuar një dokument për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Burundi”, kishte thënë Daçiq.

 

Njoftimi i plotë i MPJ-së:

Ministria e Punëve të Jashtme ka përcjellur me vëmendje të shtuar raportimet e mediave dhe deklaratave respektive nga autoritetet e Beogradit zyrtar për kinse “tërheqje të njohjes së Republikës së Kosovës nga ana e Republika e Burundit”.

Ministria e Punëve të Jashtme ri-thekson qëndrimin e mëparshëm se raportimet dhe deklaratat e tilla janë vazhdimësi e politikës së Serbisë me mjete të betejës hibride, që përfshijnë, por nuk kufizohen vetëm në propagandën Destruktive, Dezinformuese dhe Dashakeqëse me lajme të rreme dhe krijimin e narracioneve të paqena, të cilat qëllim parësor kanë minimin e forcimit të subjektivitetit dhe integrimit ndërkombëtarë të Republikës së Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka pranuar asnjë dokument zyrtar nga Republika e Burundit, që do të mund të konsiderohej në kundërshtim me Notën Verbale për njohjen e Republikës së Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran nga ana e Republikës së Burundit më datën 16 Tetor, 2012.

Ministria e Punëve të Jashtme ri-përsëritë qëndrimin se E Drejta Ndërkombëtare nuk e njeh aktin politik të të ashtuquajturës “tërheqje të njohjes”, andaj çdo raportim dhe deklarim përkitazi me këtë çështje duhet të shikohet nga këndvështrimi i politikave dhe veprimeve të 3D-ve të sipërpërmendura nga ana e Serbisë në raport me Kosovën.

Ministria e Punëve të jashme ri-kujton se rasti me shtetin e Guinea-Bissau ishte dëshmia më e mirë e dekonspirimit të propagandës dhe synimeve serbe për manipulim me emra shtetesh dhe falsifikim vulash zyrtare.