Buxheti 200-milionësh, i pamjaftueshëm për shëndetësinë

Buxheti 200-milionësh, i pamjaftueshëm për shëndetësinë

Shemsi Veseli, anëtar i Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, thotë gjatë një interviste për “Zërin” se buxheti prej 200 milionë eurosh për shëndetësinë ndonëse është më i larti deri më tani është i pamjaftueshëm për t’i mbuluar të gjitha nevojat e këtij sektori, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Me 200 milionë euro buxhet në vit nuk mund të mbulohen të gjitha nevojat që ka sektori i shëndetësisë në Kosovë. Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” Shemsi Veseli, anëtar i Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), ndonëse pranon se buxheti i këtij viti për Ministrinë e Shëndetësisë është më i larti që nga paslufta.

Veseli pranon se spitalet në Kosovë ballafaqohen me mungesa të mëdha të barnave, të materialeve shpenzuese dhe të aparaturave. Ai thotë se ky sektor po ashtu ka nevojë që të pranojë staf të ri për të vazhduar me shërbimet 24-orëshe në spitalet vendore, megjithatë, sipas tij, me qasjen e re të Ministrisë problemet e trashëguara në shëndetësi “do të shërohen” shumë shpejt.