Buxheti për vitin 2021 pritet të jetë 2.4 miliardë euro, për 200 milionë më i ultë nga viti 2020

Buxheti për vitin 2021 pritet të jetë 2.4 miliardë euro, për 200 milionë më i ultë nga viti 2020

Qeveria e Kosovës është në fazën finale të përgatitjes së projektbuxhetit për vitin 2021, njofton Insajderi.

Buxheti për vitin 2021 pritet të jetë 2.4 miliardë euro ose 200 milionë euro më i ulët në krahasim me këtë të vitit aktual për shkak të pandemisë COVID-19.

Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi në një intervistë për KosovaPress deklaroi se janë në fazën finale të përgatitjes së buxhetit për vitin 2021, pasi që janë të obliguar deri në fund të këtij muaji të dorëzojnë projektbuxhetin në Kuvend për miratim.

Krasniqi ka thënë se “si rezultat i mosmiratimit të projektligjit për rimëkëmbje ekonomike nuk përjashtohet mundësia që të ulen pagat në sektorin publik si dhe të zvogëlohen shpenzimet në investime”.

Tutje, zëvendësministri Krasniqi, po ashtu ka kërkuar nga Kuvendi që ta miratojë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, dhe në momentin që miratohet në lexim të parë pastaj ekziston mundësia që të bëhen ndryshime para se të dërgohet për votim në lexim të dytë.

Megjithatë për të shpëtuar sektorin privat, Krasniqi ka edhe një ide tjetër, që nuk përjashton mundësinë e uljes së pagave në sektorin publik, ose duke i zvogëluar granatet në bujqësi dhe në investimet publike

Sa i përket vendimit të  fundit të Qeverisë për ndarjen e 87 milionë eurove për rimëkëmbje ekonomike, zëvendësministri ka thënë se javën tjetër nis ekzekutimi i mjeteve për bizneset private në shumën prej 60 milionë euro dhe 12 milionë euro për bujqësi./Insajderi.com