Zëdhënësi për media i Partisë Demokratike të Kosovës, Avni Bytyçi, ka lajëmruar dorëheqjen e tij nga kjo pozitë, njofton Insajderi.
Me anë të një postimi në Facebook, Bytyçi ka shkruar se lirimine tij nga kjo detyrë e ka kërkuar para disa ditësh, ndërsa nga fillimi i muajit maj nuk do ta ushtrojë më këtë pozitë.
Ai ka treguar arsyet e dorëheqjes së tij, duke thënë se do punojë me ekipin mbrojtës të Kadri Veselit në Hagë.
“Për të ruajtur parimin e mos ndërhyrjes, paanshmërinë dhe për të siguruar që puna ime nuk konsiderohet ndërhyrje politike në asnjë formë, e pas një bisede të shkurtër me z. Veseli, po tërhiqem nga çdo funksion dhe pozitë që kam në Partinë Demokratike të Kosovës”, ka shkruar ai.
“Shfrytëzoj rastin t’i falënderoj të gjithë, më vjen sinqerisht keq që po largohem në këto rrethana në të cilat gjendet partia, megjithatë nuk mund të mohoj se për mua personalisht, edhe po besoj për shumë të tjerë, beteja ligjore për pafajësinë e themeluesve të UÇK-së në Hagë, është betejë më e rëndësishme se sa karriera ime personale, besa edhe vet fati im në politikë”, thotë tutje Bytyçi. /Insajderi.com