Bytyçi: Ndërhyrjet e Kurtit në Shqipëri po aq të gabuara sa ndërhyrjet e Vuçiqit në Kosovë

Bytyçi: Ndërhyrjet e Kurtit në Shqipëri po aq të gabuara sa ndërhyrjet e Vuçiqit në Kosovë

Zëdhënësi i dorëhequr i Partisë Demokratike të Kosovës, Avni Bytyçi, e ka cilësuar votimin e Albin Kurtit, si një ndërhyrje në Shqipëri “po aq e gabuar” sa ndërhyrjet politike të Aleksandër Vuçiqit në Kosovë, njofton Insajderi.

Sipas Bytyçit, Kurti me këtë gjest ka bërë një gabim të rëndë dhe është e papranueshme që një kryeministër ndërhyn “kaq hapur dhe drejtpërdrejt” në një shtet tjetër.

Bytyçi ka komentuar edhe urimin e Kurtit drejtuar homologut të tij shqiptar, Edi Rama, që ka fituar mandatin e tretë.

“Nëse lexoni urimin e Edi Ramës për Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin dallon thelbësisht, ky i Albin Kurtit nuk ishte urim. Ai është ‘i fitove zgjedhjet, urime të qofshin’ – kjo është qasja e Albin Kurtit. Nuk është urim i zakonshëm i një kryeministri i një vendi fqinj. Është urim i keq për Edi Ramën. Pjesa e fundit e tregon realisht pse po reagon, se qëllimi është te parregullsitë që po pretendon”, ka thënë ai në KK.

“Albin Kurti ka gabuar rëndë dhe është e paprecedentë që një kryeministër ndërhyn kaq hapur dhe drejtpërdrejt, përjashto Serbinë dhe Aleksandar Vuçiqin që vazhdimisht ndërhyjnë në Kosovë, në zgjedhje ku është futur në garë dhe tash po e shfrytëzon autoritetin si kryeministër që të theksojë parregullsitë në Shqipëri. Ndërhyrjet politike të Aleksandar Vuçiqit në një vend sovran janë po aq të gabuara sa ndërhyrjet e Albin Kurtit në Shqipëri. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe janë disa rregulla të së Drejtës Ndërkombëtare që përcaktojnë qartë që një kryeministër i një vendi sovran nuk mund të ndërhyjë në procesin zgjedhor të një vendi tjetër, pavarësisht marrëdhënieve vëllazërore”, është shprehut tutje Bytyçi. /Insajderi.com