Bytyçi: Nëse VV sjell 40 nënshkrime, PDK do ta votojë rrëzimin e Qeverisë

Bytyçi: Nëse VV sjell 40 nënshkrime, PDK do ta votojë rrëzimin e Qeverisë

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Avni Bytyçi, ka deklaruar se deputetët e kësaj partie politike do ta votonin rrëzimin e qeverisë të drejtuar nga Avdullah Hoti, vetëm nëse Lëvizja Vetëvendosje do të sjell 40 nënshkrime në Kuvend, njofton Insajderi.

Me anë të një postimi në Facebook, Bytyçi ka thënë se edhe nëse nuk arrihet një marrëveshje për postin e Presidentit, PDK është gati për të shkuar në zgjedhje.

“Përjashtim bën këtu situata kur 40 nënshkrime i sjellë VV në seancë për mocionin e votëbesimit. Atëherë, PDK do ta votoj rrëzimin qeverise duke ofruar 24 vota”, thotë tutje ai.

“Partia Demokratike e Kosovës nuk beson në mentalitetin arkaik të borxheve në politikë. Tuxharllëku i partive tjera politike për postin e presidentit, janë të pakuptimta, ne besojmë në parime dhe marrëveshje politike.  Si parti e përfaqësuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ne jemi të gatshëm të diskutojmë me partitë tjera për zgjedhjen e Presidentit. Nëse nuk ka marrëveshje, edhe shterohen rrugët institucionale edhe kushtetuese. Kosova shkon në zgjedhje, e për këtë çështje, PDK është gati”, ka shkruar Bytyçi. /Insajderi.com