Bytyçi thotë se lajmet për zëvendësimin e Veselit në PDK janë spekulime dashakeqe dhe të pavërteta

Bytyçi thotë se lajmet për zëvendësimin e Veselit në PDK janë spekulime dashakeqe dhe të pavërteta

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Avdi Bytyçi, ka hedhur poshtë të gjitha spekulimet se në këtë parti është duke u diskutuar për emrat për kryetar të saj në rast se konfirmohet aktakuza nga Gjykata Speciale në Hagë për kreun aktual, Kadri Veselin.

U raportua se brenda organeve të PDK-së është duke u diskutuar si çështje ardhja e një lideri të ri në krye të Partisë, ndërsa Bytyçi thotë se ky subjekt politik e ka liderin e saj.

Një reagim i tillë nga Bytyçi erdhi përmes një shkrimi në Facebook, ku tutje tha se këto fjalë janë vetëm spekulime dashakeqe dhe të pavërteta.

“Partia Demokratike e Kosovës e ka kryetarin dhe liderin e saj politik, z. Kadri Veseli.

Spekulimet dashakeqe se në Partinë Demokratike të Kosovës janë duke u diskutuar emra për të zëvendësuar z. Veselin janë tërësisht të pavërteta”, ka shkruar ai.  /Insajderi.com/