Bytyçi: Nuk jemi marrë me çështjen e koalicionit më NISMA-në

Bytyçi: Nuk jemi marrë me çështjen e koalicionit më NISMA-në

Nisma Socialdemokrate po pret që Partia Demokratike e Kosovës ta ftojë në një koalicion parazgjedhor, që sipas kreut të partisë që mezi e kaloi pragun zgjedhor në zgjedhjet e fundit, do të luftonte për vendin e parë.

Ndërkohë që ditëve të fundit s’ka pasur takime ndërmjet PDK-së dhe Nismës për ta diskutuar mundësinë e lidhjes së këtij koalicioni, kjo s’është diskutuar as brenda PDK-së.

Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi ka thënë se as që janë marrë me këtë çështje, njofton Insajderi.

Ai tutje ka bërë të ditur se në këtë fazë po merren kryesisht me listën e kandidatëve për deputetë dhe platformën.

“PDK as që është marrë me këtë çështje. Fokusi i PDK-së tani në këtë fazë është te kandidati për kryeministër, prof. Enver Hoxhaj, lista e kandidatëve dhe platforma me të cilën do të garojmë”, tha Bytyçi për Express.

Në kampin e Nismës po presin ende për një ofertë nga PDK-ja. Anëtari i Nismës, Vesel Krasniqi, është shprehur  se po ashtu janë duke u përgatitur për zgjedhje.

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj është shprehur i bindur se një koalicion me partinë nga e cila kishte dalë në vitin 2013 do t’i vendoste ata në garë serioze për vendin e parë.

“Një koalicion i tillë PDK-Nisma do të luftonte për vend të parë”, kishte thënë Limaj më 17 dhjetor në T7.

Krejt në fund të vitit, nënkryetari i PDK-së, Sami Lushtaku tha se nuk do të ketë koalicion parazgjedhor me Nismën./Insajderi.com