Universitetet e Kosovës kanë nevojë të thellohen në fushën e hulumtimit. Kështu tha ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi në tryezën “Rritja e lidhjeve të industrisë së shkencës në Kosovë – Disa instrumente të ndryshme”, organizim i përbashkët i MAShT dhe projektit HERAS nga Austria.
Me këtë rast, ministri Bytyqi theksoi se tryeza të tilla, siç është transformimi i dijes nga pjesë akademike tek bizneset private janë ndër më të qëlluarat për t’u diskutuar në Kosovë.
Kjo sipas tij, për shkak se universitetet e vendit, përkundër zhvillimeve, ende çalojnë në këtë pjesë.
“Universitetet tona kanë nevojë shumë më shumë të kenë zhvillim drejt fushës së hulumtimit dhe shkencës. Vërtetë në vitet e fundit ka pasur ndryshime dhe zhvillime qoftë në universitetet publike, qoftë në kolegjet private, por ka nevojë akoma më shumë që të thellohet pjesa e hulumtimit tek universitetet tona dhe një bashkëpunim shumë më i madh në sektorin publik”, tha ai.
Bytyqi tha se MASHT luan një rol shumë të rëndësishëm dhe është i gatshëm të bashkëpunojë në çfarë do pjese, që institucionet arsimore në Kosovë të kenë mundësinë të sigurojnë vet të ardhurat e tyre duke u shndërruar në sipërmarrës.
Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Gernot Pflander tha se ky projekt është ndër projektet më të mëdha në fushën e arsimit në Kosovë.
Ai ka ftuar të gjitha institucionet relevante që të angazhohen për të mbajtur arsimin e lartë sa më afër tregut të punës.
“Në ditët e sotme, universitet ballafaqohen me sfida, të cilat janë me origjinë të re në kontekst të globalizimit dhe në konkurrencën e shtuar ndërkombëtare. Prandaj, ne jemi të lumtur për projektin HERAS që ngrit çështje të inovacionit dhe transferimit të njohurive në arsimin e lartë. Siç besoni edhe ju, Kosova ka nevojë të ketë ndihmën tonë në këtë drejtim. Unë inkurajoj të gjithë akterët që në mënyrë aktive të jenë të përfshirë në tema dhe të ndihmojnë këtë kauzë që arsimi i lartë në Kosovë të jetë sa më afër tregut të punës”, theksoi ambasadori austriak, transmeton ksp.
Menaxheri i projektit, Helmut Gassler shpalosi para të pranishmëve çështjet më të rëndësishme që duhen të arrihen. Ai tha se nevojitet durim për tu arritur sukses të tillë, i cili do të mundësonte prodhimin e njohurive të reja.
“Ekzistojnë aspekte të caktuara të cilat duhet të vihen në vend në mënyrë që vlerat të jenë optimale. Sektori i kërkimeve duhet të prodhojë njohuri të reja dhe sektori afarist duhet të ketë kapacitetin e tij për të zhvilluar këto njohuri. Është e qartë se ky sektor ka një fuqi të madhe përshtatëse. Kam parë situata si kjo në Kosovë ku sektori afarist nuk është në nivel shumë të lartë dhe ku problemi është që këta dy sektorë të bëjnë të mundur të prodhojnë njohuri që janë të përshtatshme për sektorin afarist”, tha ai.
Ndryshe, gjatë kësaj tryeze u tha se Kosova po përballet me barrierat dhe pengesat që janë të dëmshme për evoluimin e një ndërveprimi të dendur midis akademisë dhe sektorit privat të biznesit.