Intervistë e Gent Cakajt për Insajderi.com

Cakaj: Bashkimi klasik i pamundur për momentin – por distancimi total kombëtarisht i dëmshëm

Për shkak të polemikës së emërimit të tij, Gent Cakajt më shumë iu desh të flas për atë se kush është si person, sesa çfarë bën si politikan. Debati rreth datës së lindjes fillimisht i eklipsoi punët. Por, ngadalë, nga debati për moshën e re, kemi kaluar në atë që po duket si lindja e një politike të re. Cakaj e ka pozicionuar vetën në udhëkryqin e politikave kombëtare dhe mendimi i tij sot është i pashmangshëm. Në këtë Intervistë për Gazetën Online Insajderi, ai flet për Shqipërinë, Kosovën, bashkëpunimin që po thellohet dhe shqiptarët e Luginës që s’guxohet të anashkalohen më.

Cakaj: Bashkimi klasik i pamundur për momentin – por distancimi total kombëtarisht i dëmshëm

Bashkimi kombëtar në mes të Kosovës e Shqipërisë për momentin është objektivisht i pamundur, por distancimi i plotë dhe një ndarje totale në mes të dy shteteve do të ishte kombëtarisht dhe politikisht e dëmshme.

Kështu ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, shqiptari nga Kosova, Gent Cakaj, në një intervistë ekskluzive për Gazetën Online Insajderi.

Cakaj, që mbase edhe për shkak të vendlindjes së tij, i ka dhënë një dimension më mbarëkombëtar politikës së jashtme të Shqipërisë, ka potencuar në këtë intervistë se qëllimi i qeverisë shqiptare nuk është në asnjë formë “imponimi i agjendës politike të Kosovës”.

Megjithatë, “Shqipëria as nuk mund të shpërfillë Kosovën, sepse ato ndajnë një histori kombëtare”.

“Kosova dhe Shqipëria duhet gjithsesi të shkojnë drejt një politike krejtësisht të bashkërenduar dhe integrimi të thellë”, deklaron Cakaj, duke treguar se cilët janë edhe hapat konkretë që janë ndërmarrë prej kohës kur ai udhëheqë me politiken e jashtme shqiptare.

Cakajt, në këtë intervistë, i është kërkuar mendim edhe për atë se si duhet të manovrojë Kosova në arenën ndërkombëtar, tash pasi dialogu me Serbinë ka rifilluar.

Një dialog që di të tej-zgjatet kur ndërmjetësues është Bashkimi Evropian, apo një tjetër, një të përshpejtuar, që koncentrohet më shumë në ndërvarësi ekonomike, të cilin e do administrata e Donald Trump.

Gjithsesi Cakaj, ndryshe nga një pjesë e politikanëve në Kosovë, nuk mendon se strategjia e udhëheqësisë kosovare duhet të jetë ose – ose, por më shumë edhe – edhe.

Kosova nuk është në pozitë të vendosë në mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, mendon ai.

Cakaj në këtë intervistë për Insajderi-n ka folur edhe për vizitën e tij në Uashington, e cila rastisi të ishte në kohë të njëjtë kur planifikohej takimi në mes të delegacionit të Kosovës e atij të Serbisë.

Sqaroi edhe një herë, përfundimisht, se a kishte lidhje vizita e tij me atë takim që nuk ndodhi.

Ka folur edhe për një nga angazhimet e tij më të thukshme kohëve të fundit – shqiptarët e Luginës dhe bashkimin e spektrit politik atje.

Ka treguar se cila duhet të jetë strategjia operuese e dy shteteve shqiptare në raport me bashkëkombësit në Serbi dhe cilat janë urgjencat me të cilat duhet të operohet në atë pjesë, në mënyrë që të ruhet e të konsolidohet faktori shqiptar.

 

Intervista e ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, për Gazetën Online Insajderi:

Zotëri Cakaj, Shqipëria dhe politika shqiptare, sidomos kohëve të fundit, ka pasur një problem të pazgjidhshëm kur vjen puna tek Kosova. Në Kosovë edhe duan ndihmën e Shqipërisë edhe nuk duan përzierje në punët e brendshme të Kosovës. I takon pastaj Shqipërisë që ta gjejë një zgjidhje elegante për të mos lënduar asnjërën palë – as ata që nuk duan përzierje të Shqipërisë në punët e Kosovës, as ata që e duan Shqipërinë pjesëmarrëse aktive në proceset në të cilat kalon Kosova. A e keni ndjerë këtë qasje ambigue që vjen nga Kosova dhe a e keni gjetur një zgjidhje?

Përtej komenteve skajshmërisht kundërthënëse që kanë karakterizuar debatet e fundit publike, duhet theksuar se Shqipëria nuk mund të ketë as qasje paternaliste dhe as qasje indiferente në lidhje me Kosovën. Shqipëria, në asnjë rrethanë, nuk mund të imponojë nga jashtë agjendën politike të Kosovës, sepse agjenda politike e Kosovës duhet të vendoset brenda institucioneve legjitime të saj. Megjithatë, Shqipëria as nuk mund të shpërfillë Kosovën, sepse ato ndajnë një histori kombëtare dhe interesa të përbashkëta politike. Thënë ndryshe, sa i përket marrëdhënies së Shqipërisë me Kosovën, nuk mund të ketë as mbivendosje, as anashkalim.

Kosova dhe Shqipëria duhet gjithsesi të shkojnë drejt një politike krejtësisht të bashkërenduar dhe integrimi të thellë, veçanërisht në fushën e politikës së jashtme. Marrëveshja që kemi nënshkruar me dt. 2 korrik 2019 në Tiranë, me ish-Ministrin e Jashtëm të Kosovës, z. Behgjet Pacolli, nëse do të vazhdojë zbatimi i përpiktë i saj, mundëson një cilësi të re marrëdhëniesh mes dy vendeve: përkatësisht, ajo është pikëthemeli i paradigmës diplomacisë së integruar të Kosovës dhe Shqipërisë. Në thelb, ajo përmban katër shtylla. E para, politike: synimi këtu është krijimi i platformave të bashkërenduara politike dhe shtimi i angazhimeve të përbashkëta në arenën ndërkombëtare nëpërmjet trupave ndër-ministrore që parasheh marrëveshja, sikurse Grupi Ndër-Ministror për Përfaqësim të Bashkërenduar Ndërkombëtar dhe Këshilli i Përbashkët për Planifikim Strategjik. E dyta, organizative: synimi këtu është fillimi i studimeve të hollësishme teknike për mundësinë e rritjes së konsullatave dhe ambasadave të përbashkëta, sipas praktikave tashmë në Milano, Mynih, Kopenhagen dhe Kanbera, gjë që do të mundësonte edhe racionalizimin e shpenzimeve logjistike edhe forcimin e përfaqësimit të përbashkët diplomatik. E treta, profesionale: synimi këtu është puna e përbashkët në rritje të kapaciteteve profesionale e diplomatike nëpërmjet një vargu masash, këmbimit të personelit diplomatik në Ambasada, Konsullata e Ministri, organizimit të Konferencës së Përbashkët të Ambasadorëve dhe thellimit të bashkëpunimit në nivel të akademive diplomatike. E katërta: socio-kulturore: synimi këtu është forcimi i përgjithshëm i diplomacisë kulturore e publike nëpërmjet unifikimit të kalendarit të aktiviteteve kulturore dhe konferencave të rregullta me diasporën dhe shoqërinë civile.

Po ashtu, pavarësisht pandemisë COVID-19, më 24 prill 2020, me ish-Ministrin e Jashtëm të Kosovës, z. Konjufca kemi nënshkruar një edhe një marrëveshje tjetër që parasheh edhe mundësinë e emërimit të përfaqësuesve të posaçëm të përbashkët të Kosovës dhe Shqipërisë në politikën e jashtme. Mes tjerash, kjo do t’i shërbejë më tej përpjekjes për përfaqësim e veprim të përbashkët në rrafshin ndërkombëtar, përfshirë punën në për shtimin e numrit të njohjeve të Republikës së Kosovës.

Prandaj, përtej llogarive të politikave ditore, duhet theksuar se formula që duhet të përcaktojë marrëdhënien afatgjatë mes dy vendeve nuk është as bashkimi klasik, i cili tani është objektivisht e politikisht i pamundur, as ndarja e plotë e distancimi total, i cili do të ishte politikisht dhe kombëtarisht i dëmshëm, por bashkëpunimi i zgjeruar drejt një integrimi të thellë mes dy vendeve.

 

Ekziston gjithashtu një dualitet në Kosovë në qasjen ndaj perëndimit. Janë ata që më shumë e shohin Bashkimin Evropian si partner dhe të tjerë që shohin SHBA-të. Po ashtu, ekziston një përshtypje se edhe tek ndërkombëtarët ka dy qasje se si duhet të zgjidhet përfundimisht problemi që ka Kosova me Serbinë. Amerikanët që duan vendosje të shpejtë të komunikimit, hapje tregtare dhe zhvillim ekonomik që më pas mbase e përcjell edhe përmirësimin e raporteve deri tek arritja e paqes dhe evropianët që janë më të ngadaltë në qasjen e tyre dhe duan një dialog më të matur mes dy vendeve. Cili është – sipas jush – propozimi i Shqipërisë? A duhet kosovarët të zgjedhin ose njërën ose tjetrën, apo duhet të navigojnë nëpër të dy qasjet?

 Kosova nuk është në pozitë të vendosë në mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Diskutime të kësaj natyre shpeshherë kanë qenë edhe të fryra mediatikisht për llogari të ngushta politike. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë pasur një politikë të bashkërenduar që prej fillimit të dialogut të Brukselit për normalizim të marrëdhënies mes Kosovës e Serbisë prej vitit 2011 e tutje.

Edhe këto zhvillimet e fundit, nuk zbulojnë një tension mes BE-së dhe ShBA-vë, sa një ndarje të brendshme të punës: përderisa përfaqësuesi i posaçëm i Presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, z. Richard Grenell, ka nënvizuar më shumë rëndësinë e ekonomisë si pikënisje për një marrëveshje më të gjerë politike, BE-ja ka insistuar më shumë në rinisjen e bisedimeve politike për të mbyllur të gjitha çështjet mes Kosovës dhe Serbisë si parakushte për përparim të mëtejmë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Megjithatë, kjo nuk nënkupton se ekziston një kundërthënie e papajtueshme mes BE-së dhe ShBA-ve. Vetë takimi i fundit në Bruksel para disa ditësh u mbështet fort e hapur prej ShBA-ve. Në çfarëdo rrethane, ShBA-të edhe BE do të kenë rol të patjetërsueshëm, jo vetëm për të mundësuar një marrëveshje të qëndrueshme mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, por edhe për të mundësuar procesin e anëtarësimit të Kosovës në BE, NATO dhe OKB.

Sa i përket Shqipërisë, ndërkaq, vlen të theksohet se është fare e qartë se dialogu duhet të përfundojë me njohjen e Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë. Çfarëdo marrëveshje nën njohje, me dëmtim të integritetit territorial ose cenim të rendit kushtetues të Kosovës është e destinuar të dështojë, sepse nuk i shërben as stabilitetit, as prosperitetit, as demokracisë në Ballkanin Perëndimor.

 

Ju keni vizituar edhe personalisht Uashingtonin. Jeni takuar me Richard Grenell dhe personalitete të tjera shumë të rëndësishme në SHBA. Cili ishte qëllimi i vizitës tuaj? A ishit atje për të qenë pjesë e takimit mes dy delegacioneve? Pra, a shkuat me atë qëllim edhe ju në Uashington, apo ishte thjesht rastësi?

 Vizita ime në Uashington ka qenë e planifikuar muaj më parë, por është shtyrë për shkak të rrethanave të imponuara nga pandemia COVID-19. Atje, para së gjithash, kam qenë për një varg çështjesh që lidhen drejtpërdrejtë me Shqipërinë: mbyllja e përgatitjeve për ngritjen e Akademisë së Transparencës në bashkëpunim me USAID, zhvillimi i konsultimeve diplomatike dypalëshe me Philip Reeker e Mattheë Palmer, bisedimi për një serë çështjesh që lidhen me ecurinë e Kryesisë shqiptare të OSBE-së dhe fushatën intensive diplomatike për të siguruar një ulëse si anëtar jo i përhershëm në Këshillin e Sigurimit 2022-2023. Sidoqoftë, duke marrë parasysh se dialogu Kosovë-Serbi është një çështje e rëndësisë së jashtëzakonshme për Shqipërinë, unë kam zhvilluar më tej edhe një takim shumë të vyer edhe me z. Grenell.

 

Çfarë biseduat me Richard Grenell? A është përfshirja e tij intensive në dialogun Kosovë – Serbi e mirë për Kosovën, e favorshme? Çfarë mendoni për qasjen tij? Çfarë mendoni për planin që ai ka për zgjidhjen e problemit? 

 Pas takimit me z. Grenell mund të komunikoj thjeshtë një mesazh kryesor: s’ka marrëveshje të fshehtë, s’ka plane për ndarje të Kosovës, as nxitim për ndonjë marrëveshje të dëmshme, vetëm përpjekje për të filluar me një marrëveshje ekonomike e për të kurorëzuar procesin e bisedimeve me njohjen e Republikës së Kosovës. Kosova duhet të vazhdojë përpara në procesin e dialogut e udhëhequr jo nga logjika konspirative e disa aktorëve politik, por nga vizioni i qartë shtetëror i bashkërenduar plotësisht me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 

Cakaj: Shqiptarët në Luginën, një prej pakicave kombëtare më të shtypura në Evropë

 

Me iniciativën tuaj për herë të parë është arritur unifikimi i subjekteve politike shqiptare në Luginë. Z. Cakaj përse dhe si vendosët të angazhoheshit në bashkimin e shqiptarëve për të garuar me një listë në zgjedhjet në Serbi? Cili saktësisht ka qenë kontributi juaj dhe çfarë tentohej të arrihej fillimisht? A ka Shqipëria, si shtet në përgjithësi dhe ju si ministër në veçanti, një strategji për mbrojtjen e shqiptarëve në Luginë?

 Shqiptarët në Luginën e Preshevës janë një prej pakicave kombëtare më të shtypura në Evropë. Ne nuk jemi vetëm për të demantuar politikat e ushtruara ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës, por edhe për të ndërmarrë veprime konkrete për të ndryshuar gjendjen e shqiptarëve atje.

Shqipëria për herë të parë, për shembull, ka marrë përgjegjësinë për mbështetjen e rregullt financiare për Këshillin Kombëtar Shqiptar në Serbi. Tani vonë kemi dhënë edhe një mbështetje shtesë financiare për blerjen e teksteve shkollore në gjuhën shqipe dhe për restaurimin e qendrës kulturore multidimensionale në Komunën e Bujanocit.

Së fundmi, pas shumë përpjekjesh intensive nga ana e Shqipërisë, është mundësuar vënia në përdorim e mbi 24 teksteve shkollore në gjuhën shqipe. Kjo është thjesht themelore për të përmirësuar cilësinë e arsimit në gjuhën shqipe në Luginën e Preshevës. Po ashtu, kemi filluar edhe procedurat për hapjen e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë atje. Kjo konsullatë duhet të shërbejë për të forcuar lidhjen e thelluar komunikimin mes shqiptarëve të Luginës së Preshevës e Republikës së Shqipërisë. E, mbase ia vlen edhe të përmend faktin se për herë të parë, kemi emëruar diplomat shqiptar nga Lugina e Preshevës në diplomacinë e Shqipërisë për t’u marrë enkas me çështjet e diasporës shqiptare të Luginës së Preshevës në Evropë.

Sidoqoftë, si rrjedhojë e drejtpërdrejtë e angazhimit të diplomacisë shqiptare në Luginën e Preshevës, duhen përmendur veçanërisht dy të arriturat më domethënëse politike të kësaj periudhe: koalicioni i Luginës së Bashkuar për zgjedhjet qendrore dhe koalicioni i shumicës shqiptare i qeverisjes lokale në Bujanoc.

Koalicioni i Luginës së Bashkuar tashmë ka rezultuar me tre deputetë shqiptarë në Kuvendin e Serbisë. Vlera e këtij koalicioni nuk është numri i deputetëve (sepse, fundja, edhe me një numër shumë më të madh deputetësh, gjendja e shqiptarëve atje vështirë se do të ndryshohej për shkaqe të qarta politike), por platforma e përbashkët ideo-politike në raport me Serbinë. Atje mbase mund të ketë shumë parti politike shqiptare për çështje të pushtetit lokal, por duhet të ketë vetëm një faktor politik shqiptar në mbrojtje të interesit kombëtar. Për më shumë, ky koalicion duhet shfrytëzuar për të krijuar një momentum të ri në Luginën e Preshevës, në të cilin zvogëlohen rivalitetet ndër-partiake e forcohet puna e përbashkët në shërbim të lartësimit të pozitës së shqiptarëve atje.

Koalicioni i shumicës shqiptare për qeverinë lokale në Bujanoc, ndërkaq, është po ashtu i rëndësisë thelbësore për ruajtjen e faktorit shqiptar në këtë komunë kundër përpjekjeve sistematike për t’ia zvogëluar gradualisht peshën politike duke ia marrë pushtetin administrativ, ngjashëm sikurse ka ndodhur në Medvegjë. Prandaj, vlera e koalicionit të partive politike shqiptare në Bujanoc, nuk është vetëm pjesë e përpjekjes për rritje të cilësisë së qeverisjes lokale, por edhe e përpjekjes për të ngritur pozicionin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës në përgjithësi.

Këto veprime, gjithsesi, janë të domosdoshme, por edhe të pamjaftueshme. Tani Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës duhet të aktualizojnë edhe njëherë diskutimin për ngritjen dhe funksionalizimin e fondit të përbashkët për mbështetje sistematike në Luginën e Preshevës. Ndërkohë së bashku me faktorin politik shqiptar duhet vazhduar puna për të kundërshtuar politikën e pasivizimit të adresave në Komunën e Medvegjës, me qëllim zvogëlimin e numrit të shqiptarëve, mohimin e të drejtës për përdorim të hapur e të lirë të simboleve kombëtare dhe nënpërfaqësimin sistematik të shqiptarëve në institucionet shtetërore.

Përmirësimi i gjendjes së shqiptarëve në Luginën e Preshevës, natyrisht, është një proces i gjatë dhe i vështirë. Sidoqoftë, tashmë është e dukshme, besoj, se Shqipëria ka një qasje skajshmërisht më dinamike në mbështetje të shqiptarëve në atë hapësirë./Insajderi.com