"Kombi para shteteve"

Cakaj: Kur është në pyetje UÇK-ja duhet të reagojmë si komb, jo si dy shtete

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Integrimeve Evropiane të Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj, ka thënë se shteti shqiptar e ka pasur të obligueshme që të qëndrojë afër Kosovës në kohën kur liderëve politik të UÇK’së iu është publikuar propozimi për aktakuzë nga Prokurori i Gjykatës Speciale.

Cakaj: Kur është në pyetje UÇK-ja duhet të reagojmë si komb, jo si dy shtete

Në një intervistë për televizionin T7, në emisionin Pressing, Gent Cakaj, ka thënë se në raste të tilla kur vlerat kombëtare rrezikohen, reagimi duhet të jetë si komb, jo si shtete të ndara, njofton Insajderi.

Cakaj ka thënë se menjëherë pas publikimit të akuzave, ne kemi ardhur në Kosovë.

“Kur vlerat e UÇK’së janë në pyetje duhet të reagojmë jo si dy shtete por si një komb. Kjo për të ruajtur vlerat e UÇK-së. E dyta ka qenë që të pastrojmë emrin. Tash po shohim se pesha e përgjegjësisë po kthehet tërësisht nga Kosova. Pas 20 vjetëve, Serbia nuk po shihet më si agresore. Dhe e treta për shkak të pasojave politike, sepse jo vetëm që Gjykata Speciale do të largojë disa përfaqësues politik, por edhe do të lihet një vakum”.

Më pas Cakaj ka thënë se akuzat janë të motivuara politikisht për mënyrën se si është komunikuar.

“Kemi një bazë të shëndoshë që kjo ka qenë e motivuar politikisht. Kjo për dy arsye. E para, momentumi ka qenë dy ditë para takimit në Shtëpinë e Bardhë. E dyta, vetë deklarata e komunikuar nga Prokurori i Specializuar. Vetë deklarata e tij, që thotë se gjoja Veseli e Thaçi po vënë veten para shtetit dhe po mundohen të shuajnë Gjykatën. Kjo mund të jetë gjuhë e brendshme politike. Por, një gjykatë që është pala e tretë nuk ka të drejtë të ndërhyjë politikisht me këso deklarata”./Insajderi.com