S’po pranon Serbia

Cakaj: Serbia e ka refuzuar vazhdimisht kërkesën time për hapjen e Konsullatës në Bujanoc

Disa herë ka kërkuar nga Serbia t’ia mundësojë Shqipërisë hapjen e një Konsullate në Bujanoc, por nuk ka marrë asnjëherë përgjigje pozitive. “Ky refuzim më ka lodhur”, ka thënë Gent Cakaj, derisa është prononcuar pas mbledhjes së dy qeverive – asaj të Kosovës e Serbisë – në të cilën u arrit edhe një marrëveshje për krijimin e një Fondi të Përbashkët për Luginën.

Cakaj: Serbia e ka refuzuar vazhdimisht kërkesën time për hapjen e Konsullatës në Bujanoc

Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, ka zbuluar se ka kohë që po i dërgon kërkesa Serbisë që të mundësohet hapja e një Konsullate të Shqipërisë në Bujanoc, por nuk po merr përgjigje pozitive, njofton Insadjeri.

Cakaj, duke folur për Klan Kosovën, tha se tashmë është lodhur nga këto përgjigje negative të vazhdueshme.

“Serbisë i kam dërguar një varg kërkesash për hapjen e Konsullatës në Bujanoc, sepse ka qenë ideja që të jetë si Ambasadë e komunitetit atje, por për këtë nuk kemi marrë një përgjigje pozitive”, tha Cakaj derisa foli për rëndësinë e krijimit të fondit të përbashkët Kosovë – Shqipëri për Luginën e Preshevës.

Ai e quajti këtë marrëveshje të përbashkët të dy shteteve shqiptare si “ndërhyrje që nuk është thjesht detyrim historik, por edhe veprim i domosdoshëm politik”.

E kërkesën që vazhdimisht ia ka bërë qeverisë së Serbisë për lejimin e hapjes së Konsullatës e ka adresuar, për herë të parë, edhe publikisht.

“Unë meqë e kam humbur durimin që të veprojmë përmes kanaleve diplomatike, tash po e shpreh edhe hapur dhe publikisht kërkesën tonë për hapjen e Konsullatës”.

Derisa iu ka kthyer përsëri fondit të përbashkët për Luginën tha se “fondi që sot kemi ngritur nuk është vetëm për Preshevën dhe Bujanocin, por parasheh edhe mbështetjen e projekteve të ndryshme në arsim në kulturë edhe në komunën e Medvegjës”.

Ai ka shtuar se prejse ka marrë postin e ministrit të Jashtëm në qeverinë shqiptare vazhdimisht ka pasur synim fuqizimin e shqiptarëve jashtë kufijve zyrtarë të Shqipërisë.

“Një nga prioritet themelore dhe detyrave të rëndësishme për mandatin tim, ka qenë pikërisht rritja e ndërveprimit të faktorit shqiptar në rajon”./Insajderi.com