Cakaj: Serbia s’mund të ndryshojë të vërtetën e luftës në Kosovë

Cakaj: Serbia s’mund të ndryshojë të vërtetën e luftës në Kosovë

Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka përkujtuar krimet dhe gjenocidin e kryer nga Serbia mbi popullatën e pafajshme civile në Kosovë.

Në një postim në Facebook, Cakaj u shpreh se Serbia jo vetëm që nuk ka kërkuar falje ende për krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin e kryer në Kosovë, por vazhdon të mbajë të fshehur fatin e mijëra shqiptarëve të zhdukur nga lufta e fundit.

“Në një ditë si kjo, vlen të theksohet se asnjë strategji e relativizimit dhe asnjë politikë e mohimit, që sot mjerisht mbizotëron në Serbi, nuk mund të ndryshojë të vërtetën e luftës së fundit dhe as t’i zhbëjë krimet makabre të kryera nga Serbia në Kosovë”, shkroi ai.

Tutje, Cakaj shtoi se nderimi i viktimave, kërkim-falja nga ana e Serbisë e zbardhja e plotë e të vërtetës së luftës së fundit në Kosovë është parakusht për pajtim dhe paqe të qëndrueshme./Insajderi.com