Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka zhvilluar një takim me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, njofton Insajderi.
Lidhur me këtë është deklaruar kryediplomati Cakaj, i cili tha se është biseduar për rëndësinë e qasjes së bashkërenduar, mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, për mbrojtjen e të drejtave të shqiptare të Luginës së Preshevës.
“Shprehëm shqetësimin e thellë lidhur me procesin e fshirjes së qëllimshme të adresave të shqiptarëve në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë. Ne do të vazhdojmë të punojmë pakursyer për për rritjen e ndjeshmërisë ndërkombëtare për gjendjen e shqiptarëve në Luginë”, thuhet tutje në njoftimin e Cakajt.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë tha se e ndajnë të njëjtën pikëpamje se dialogu Kosovë-Serbi duhet të përfundojë me njohjen e Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë.
Ndryshe, vizita e tij zyrtare në Kosovë ka të bëjë me nënshkrimin e tri marrëveshjeve që pritet të ndodhë midis tij dhe homologes kosovare, Meliza Haradinaj-Stublla. /Insajderi.com