Eugen Cakolli, i cili mbikëqyr punën e Kuvendit në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka thënë se deputeti i Partisë së Ashkalinjve për Integrim, Etem Arifi, nuk do ta humb automatikisht mandatin edhe pse ndodhet në vuajtje të dënimit, njofton Insajderi.
Me anë të një postimi në Facebook, Cakolli tha se bazuar në Kushtetutë, Arifi do të humb mandatin vetëm nëse mungon gjashtë muaj në mbledhjet e Kuvendit.
“Paradoksalisht, edhe pse deputeti Etem Arifi që nga sot ndodhet në vuajtje të dënimit, ai nuk do ta humb automatikisht mandatin. Duke qenë se koha kur deputeti Arifi është dënuar me vendim të formës së prerë korrespondon me mandatin e legjislaturës së kaluar, e jo aktuales, nuk gjen aplikim paragrafi 6, pika 3, e nenit 70 të Kushtetutës. Në bazë të këtij neni, deputeti Arifi do ta humb mandatin vetëm nëse mungon gjashtë muaj në mbledhjet e e Kuvendit”, thuhet në shkrimin e Cakollit.
Sipas tij, një tjetër mundësi do të mbetej që ky i zgjedhur i popullit të ofrojë dorëheqje nga pozita e deputetit, që ligjërisht do të nënkuptonte “mbarim të menjëhershëm të mandatit të tij, duke evituar skenarin paraprak që kërkon edhe disa muaj kohë për t’u përmbushur”.
“Vetëm pas dorëheqjes apo një vendimi eventual për pushim të mandatit mund të fillohet me procedurat për zëvendësimin e deputetit Arifi. Sipas këtyre procedurave, të parapara në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, Kryetarja e Kuvendit duhet që fillimisht të njoftojë Presidentin për mbetjen e një mandati të zbrazët, duke i hapur rrugë këtij të fundit që të kërkojë nga KQZ-ja që të rekomandojë personin që do të mbushë mandatin e lirë. KQZ-ja, pastaj, obligohet që brenda pesë ditësh t’ia dërgojë emrin e kandidatit të ligjshëm Presidentit, i cili e dekreton atë, duke hapur rrugë për dhënien e betimit – që si akt përmbyll procesin e zëvendësimit”, thotë tutje Cakolli. /Insajderi.com