Caktohet arrest shtëpiak ndaj gjinekologut për kryerje të abortit ndaj të 13 vjeçares nga Gjilani

Caktohet arrest shtëpiak ndaj gjinekologut për kryerje të abortit ndaj të 13 vjeçares nga Gjilani

30 ditë arrest shtëpiak është masa që i është caktuar të pandehurit A.G., nga Gjykata Themelore në Gjilan, i cili dyshohet se ka kryer abort ndaj të miturës 13 vjeçare, njofton Insajderi.

Kështu është bërë e ditur në një njoftim nga kjo gjykatë, ku thuhet se është aprovuar kërkesa e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, për caktimin e masës së arrestit shtëpiak për të pandehurin.

Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri në cilësinë e mjekut gjinekolog, në ordinancën e tij, ka kryer abortin ndaj të miturës, me ç’rast i njëjti ka treguar vendosmëri në kryerjen e veprave penale pasi që i kishte diktuar të dëmtuarës se çfarë të shkruaj në deklaratën e saj për dhënien e pëlqimit për kryerjen e abortit.

Gjithashtu i pandehuri gjatë kontrollit të dëmtuarës, nuk e ka lajmëruar veprën penale të dhunimit.

Me këto veprime i pandehuri A. G. dyshohet se ka kryer veprat penale ‘’ndërprerja e shtatzënisë’’ dhe “moslajmërimi i veprave penale dhe kryerësve të tyre”, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), shkruan EO.

Ndryshe, me datë 29.09.2020, Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj dy të pandehurve, të cilët dyshohet se kanë dhunuar të miturën. /Insajderi.com