Caktohet gjykatësi për lëndën ndaj ish-ministres Dhurata Hoxha

Caktohet gjykatësi për lëndën ndaj ish-ministres Dhurata Hoxha

Gjykatësi i Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Arben Hoti, do të merret me lëndën e ish-ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ish-sekretarit Kushtrim Cukaj dhe tret ë tjerëve – Fitim Mustafa, Demush Shasha dhe Nuhi Osmani, të cilët po akuzohen për korrupsion, transmeton Insajderi.

Këtë e ka bërë të ditur zyrtarja për informim e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi.

“Kjo lëndë i është ndarë në punë gjykatësit Arben Hoti”, bëri të ditur Gashi për “Betimi për Drejtësi”.

Aktakuza ndaj Hoxhës dhe të tjerëve është ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës më datë 7 korrik të këtij viti.

Ish-ministrja Hoxha, ish-sekretari Cukaj dhe Mustafa po akuzohen se në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me nenin 77 paragrafi 1 të KPRK-së.

Kurse, Shasha dhe Osmani po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 paragrafi 2 të KPRK-së. /Insajderi.com