Është aprovuar kërkesa e Prokurorisë Themelore të Gjilanit nga Gjykata Themelore e Gjilanit për të caktuar tridhjetë ditë paraburgim për 30 personat e dyshuar në aksionin policor të së premtes në Karaçevë.
Në njoftimin e Gjykatës Themelore të Gjilanit çekën të gjitha bazat e dyshimit të cilat dërguan në aprovimin e kërkesës së Prokurorisë për paraburgim.
Më 18 shtator, në një aksion të shkallës të gjerë janë arrestuar disa persona në Karaçevë përfshirë edhe policë nën dyshime për “bashkëpunim” me krimin e organizuar.
Komunikata e plotë:
Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë, për 30të dyshuar, të cilët janë ndaluar gjatë aksionit të realizuar me datë 18.09.2020 në fshatin Karaçevë, komuna e Kamenicës dhe rajone tjera.
Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri F.L., në fshatin Karaçevë, në cilësi të zyrtarit
policor, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, në mënyrë të vazhdueshme ka
ndihmuar, fshehur dhe nuk ka penguar kryerjen e veprës penale nga ana e të dyshuarve të
tjerë, të cilët duke kaluar vijën kufitare kanë shmangur kontrollin doganor, përmes
rrugëve ilegale dhe kanë bërë kontrabandimin e mallrave të ndryshme. Gjithashtu, i njëjti,
në lokalin e tij në të njëjtin vend, në vazhdimësi ka organizuar lojërat e fatit, të cilat janë të
ndaluara me ligj.
Ai dyshohet se ka kryer dy vepra penale ‘’Kontrabandimi me mallra’’ dhe ‘’Organizimi i
skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës
(KPRK).
Ndërkohë të dyshuarit H.K., S.K., I.S., F.K., A.K., F.Z., R.TH., S.G., S.N., S.M. dhe Z.A., në cilësinë
e zyrtarëve policorë, në mënyrë të vazhdueshme dhe me qëllim të përfitimit të
kundërligjshëm pasuror kanë ndihmuar, lehtësuar, fshehur dhe nuk kanë penguar kryerjen
e veprës penale nga ana e të dyshuarve tjerë, të cilët kanë shmangur kontrollin doganor,
përmes rrugëve ilegale dhe kanë bërë kontrabandimin e mallrave të ndryshme.
Me këto veprime, të njëjtit dyshohet se kanë kryer veprën penale ‘’Kontrabandimi me
mallra’’, të KPRK-së.
Të pandehurit D.S., A.Th., A.S., B.S., F.S., A.S., N.K., S.D., B.S, F.S., Sh.S., E.K., F.S., V.S., dyshohet
se kanë kryer veprat penale ‘’Kontrabandimi me mallra’’, pasi në bashkëpunim mes vete
dhe zyrtarët e dyshuar policorë, në mënyrë të vazhdueshme kanë shmangur kontrollin
doganor dhe përmes rrugëve ilegale kanë bërë kontrabandimin me mallra.
Ndërsa, të pandehurit Y.F., RR.G., N.Ç. dhe L.G., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm
pasuror, kanë bërë organizimin e lojëra të fatit, të cilat janë të ndaluara me ligj, ku me këto
veprime të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘’Organizimi i skemave
piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’’, të KPRK-së.
Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, Ramiz Azizi, i cili
ka dhënë urdhër për hetimin dhe bastisjen në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës,
pas mbajtjes së seancës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e
masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, pasi që caktimi i masave tjera alternative do të
pengonin zhvillimin normal të procedurës penale.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit