Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, përmes platformës online “Zoom”, ka bërë të ditur se cilat janë pikat e rendit të ditës në konferencën e ardhshme ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Gjatë konferencës për medie të mbajtur të enjten, Doyle ka dhënë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, ai ka informuar se gjykatësi i procedurës paraprake caktoi mbajtjen e konferencës së ardhshme për ecurinë në çështjen gjyqësore Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi për të enjten, 8 shtator, në orën 13:30, dhe se u kërkoi palëve dhe mbrojtësit të viktimave, të dorëzojnë parashtrimet e tyre me shkrim, nëse kanë, para seancës dhe jo më vonë se të hënën e ardhshme.
Tutje, ai tha se më 26 gusht, gjykatësi i procedurës paraprake lëshoi vendimin mbi kërkesat e ekipeve të mbrojtjes për apelimin e disa pikave në lidhje me trajtimin e informacionit konfidencial dhe kontaktet me dëshmitarët.
Sipas tij, në këtë vendim, gjykatësi miratoi leje për apelimin e disa pikave dhe gjithashtu rrëzoi kërkesën për apelimin e disa pikave të tjera. Ndërkaq, shtoi se kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës caktoi panelin e Gjykatës së Apelit për shqyrtimin e këtyre apeleve.
“Në gjykimin e Salih Mustafës, Trupi Gjykues ka caktuar rendin e ditës për deklaratat përmbyllëse. Rendi i ditës, që mund të ketë ndryshime, saktëson se Prokuroria do ta japë deklaratën përmbyllëse më 13 shtator, vijuar prej deklaratave të mbrojtëses së viktimave dhe Mbrojtjes më 14 shtator. Përgjigjet, pyetjet nga Trupi Gjykues dhe deklaratat e të dyja palëve në lidhje me zhdëmtime janë planifikuar të bëhen më 15 shtator”, tha tutje ai.
Ndër të tjera, ai tha se dje, gjykatësi Mihael Bolander ia dorëzoi kryetares Ekaterina Trendafilova dorëheqjen e tij si gjykatës në regjistrin e Gjykatësve Ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Kurse, sipas tij, kryetarja Ekaterina Trendafilova shprehu mirënjohjen e saj të sinqertë për kontributin e gjykatësit Bolander në mandatin e DhSK-së, përfshirë edhe, së fundmi, si anëtar i panelit të parë të Gjykatës Supreme.
Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë./Insajderi.com