Çanak: Serbia frikësohet se askush nuk do të investonte në të nëse zbulohen varrezat masive

Çanak: Serbia frikësohet se askush nuk do të investonte në të nëse zbulohen varrezat masive

Lideri i Lidhjes së Socialdemokratëve të Vojvodinës, Nevad Çanak, ka deklaruar se disa herë e ka ngritur zërin në Parlamentin e Serbisë që të zbulohen varrezat masive, njofton Insajderi.

Çanak thotë se sikurse ai ishin edhe 16 të tjerë, por liderët e tjerë hezitonin të flisnin për këtë temë, meqë kishin frikë se askush nuk do të vinte të investonte në Serbi – në vendin ku janë fshehur trupa të njerëzve.

“Kur unë isha deputet në parlamentin e Serbisë 18 vjet më parë, e kam ngritur disa herë çështjen e varrezave masive. Ishin 16-sosh, por liderët tjerë hezitonin të flisnin për ketë temë, sepse kishin frikë se askush nuk do vinte të investonte në Serbi, vendin ku janë te fshehur trupa të njerëzve. Unë isha tmerruar kur i dëgjova këto arsye që u dhanë, që të mos zbulohej se ku janë trupat. Autoritet Serbe e dinë mirë se ku fshihen trupat e shqiptarëve, por mungon vullneti politik për t’i treguar”, thotë më tej Çanak për televizionin Dukagjini.

Sipas Çanak do te ishte mirë për Kosovën, që të zbardhen krimet e luftës dhe se kjo do ndihmonte në përmirësim të imazhit.

“Unë kam qenë kundër tribunaleve ndërkombëtare. Për mua rruga e duhur do të ishte që Gjykatat vendore t’i dënonin kriminelet e luftës, por fatkeqësisht kjo nuk ka ndodhur. Kjo do të kishte ndihmuar edhe më shumë në demokratizimin e vendeve tona. Është shumë e rëndësishme që të zbulohen krimet e luftës nga pala Serbe, edhe nga pala kosovare, kushdo që ka bërë krime ndaj civileve duhet të dënohet”.

“Natyrisht që propaganda e regjimit të Milloseviqit ishte e madhe ku vazhdimisht dëgjonim se serbet civil po keqtrajtoheshin, ishin te ekzagjeruara, por nuk duhet ta mohojmë qe ka pasur edhe serb civil të vrarë, fati i tyre është mirë të zbardhet”, ka thënë ai. /Insajderi.com