Kryetari tashmë i dorëhequr i Kuvendit të Ulqinit, Ilir Çapuni, thotë se nuk e ka gjetur veten në shoqërinë e cila këtë komunë e konsideron si resurs nacional të Malit të Zi dhe jo “si perlë e burim jetese e mirëqenie për qytetarët e Ulqinit”.
Në një intervistë për Gazetën Online Insajderi, Çapuni ka shprehur shqetësimin e tij për moszhvillimin dhe keqmenaxhimin që ka ndodhur gjatë tri vjetëve të qeverisjes së tij të përbashkët me Partinë Demokratike Socialiste.
Ai madje shton se përzgjedhja e kandidatit të ri për kryetar të Komunës së Ulqinit ka ardhur nga Podgorica.
Çapuni thotë se një ndër arsyet e dorëheqjes së tij nga posti që po mbante në komunë është se menaxhimi i Komunës ka dalë jashtë suazave dhe obligimeve të nënkuptuara dhe të pashkruara në marrëveshje e që “në punët e Ulqinit përzihet Podgorica, por kësaj radhe nëpërmjet prokurorisë”.
Një tjetër arsye që ai thekson është edhe ndalja e investimeve kapitale.
“Investime kapitale nuk ka pasur dhe kemi pasur në skenë një parodi të vërtetë në të cilën është folur për ferma të kultivimit të salmonit, i cili do t’u transportonte deri në Romë me avionë sportivë nga aeroporti i Ulqinit”, ka thënë Çapuni për redaksinë.
Ndonëse ka hequr dorë nga qeverisja lokale aktuale, Çapuni thotë se nuk e ka ndërmend të ndalet me kaq, duke shtuar se janë të gatshëm me ekip të ri dhe të përgatitur – kurdo që të mbahen zgjedhjet e reja.
“Ne pretendojmë për të dalë fitues me të gjithë ata që ndajnë vizion të qartë për të ardhmen e rinisë sonë. Është koha për mendësi të re dhe vizion të ri për të mbrojtur këtë hua që ia kemi marrë fëmijëve tanë: Ulqinin dhe historinë e tij 2500 vjeçare”, thotë ai.
I pyetur nëse do të pranonte që të bashkëqeveriste sërish me PDS-në, anëtari i Forcës së Re Demokratike thotë se praktika me koalicionet në të kaluarën i ka mësuar disa gjëra.
“Duhet pasur besim në mes të palëve, vlera të përbashkëta si dhe kapacitet e fuqi për t’u përgjigjur nevojave të qytetarëve fuqishëm dhe pa pengesa. Për më tepër, për Ulqinin dhe ulqinakët duhet të vendoset në Ulqin dhe sidomos nga shumica shqiptare”, ka thënë ai.
Çapuni, ka dhënë dorëheqje, duke njoftuar daljen nga Koalicioni lokal i kësaj komune me anë të një konference të mbajtur për media gjatë së martës së 23 shkurtit, ku tha se ky koalicion nuk ka përmbushur obligimet ndaj qytetarëve dhe nuk ka realizuar asnjë pikë nga marrëveshja e nënshkruar nga partnerët e koalicionit për zhvillimin e qytetit të Ulqinit.
“Me një shumicë të gjerë, e cila duhej të garantonte stabilitet politik dhe përkrahje të gjerë nga ana e pushtetit qendror, pas tre viteve funksionim vlerësojmë që ky koalicion nuk ka përmbushur obligimet ndaj qytetareve dhe nuk ka realizuar asnjë pikë nga marrëveshja e nënshkruar nga partnerët e koalicionit për zhvillimin e qytetit të Ulqinit në të gjitha fushat e me fokus të veçantë zhvillimin ekonomik nëpërmjet investimeve kapitale dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve”, ka thënë ai në këtë adresim për media. /Insajderi.com