Çaushi tregon përse do lë postin e deputetit për të kandiduar në Gjakovë

Çaushi tregon përse do lë postin e deputetit për të kandiduar në Gjakovë

Driton Çaushi është kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Gjakovës. Deputeti i zgjedhur i Kuvendit të Kosovës ka njoftuar se është kandiduar nga partia për të garuar në zgjedhjet lokale në Gjakovë.

Përmes një shkrimi në Facebook, Çaushi ka bërë të ditur se do të lë postin e deputetit të zgjedhur për të kandiduar për kryetar të Komunës së Gjakovës.

Çaushi ka treguar përse do të lë në gjysmë mandatin e deputetit të zgjehdur për të kandiduar në Gjakovë. ka thënë se “nevoja për ndryshime në Komunën e Gjakovës”, ishte arsyeja kryesore për këtë vendim.

“Me gjithë obligimin që ma dhatë duke më zgjedhur si deputet, nevoja për ndryshime në komunën tonë më bëri që t’i kthehem sërish Gjakovës. Prandaj, pas konsultimit me aktivistët dhe strukturat e VV, me miq dhe dashamirë – bashkëqytetarë të Gjakovës që e duan atë pa kursim dhe pa kushte, e pashë të nevojshme që të kandidoj për Kryetar të Komunës”, ka thënë ai.

Çaushi ka thënë se ai dhe Vetëvendosje do përpiqen t’ia rikthejnë madhështinë Komunës së Gjakovës.

“Mbështetja e madhe e qytetarëve dhe nevoja e domosdoshme për ndryshime të vërteta në komunën tonë, janë për mua dhe aktivistët e Lëvizjes obligim i paanashkalueshëm që të përpiqemi me të gjitha forcat tona që Gjakovës t’ia kthejmë madhështinë”, ka thënë Çaushi.

Deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje është shprehur se nuk do të lejojë përdhosjen e Komunës së Gjakovës.

“Nuk mund ta lejojmë kthimin e atyre që e rrënuan Gjakovën. Nuk mund të lejojmë të na e përdhosin sërish komunën. Ne që e duam një Gjakovë me zhvillim, mirëqenie, drejtësi dhe dinjitet jemi shumicë. Krejt çka na duhet është që të bëhemi bashkë”, ka deklaruar Çaushi. /Insajderi.com