Më 1 nëntor të këtij viti, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka në Agjencinë Kundër Korrupsionit kishte deklaruar se posedon pesë banesa. Por vetëm 10 ditë më pas, Zeka kishte 3 banesa më pak, shkruan Insajderi.
Tri banesa të blera nga Zeka me në njërin prej komplekseve më ekskluzive në Prishtinë, me urdhër të Gjykatës Themelorë të Prishtinës i ishin sekuestruar për shkak se dyshohej se i kishte blerë me para të pista.
Paratë për blerjen e këtyre banesave në kompleksin afarist-banesor Nartel Center në lagjen Lakërishte në Prishtinë, dyshohet se kanë prejardhje nga mashtrimi që Milaim Zeka dhe partneri i tij, Ilir Krasniqi u kanë bërë 920 kosovarëve me viza pune në Gjermani.
Pagesat për këto tri banesa përputhen me kohën e hapjes dhe veprimtarisë së firmës “Ilir Krasniqi Milaim Zeka OP”, pronë e dy të dyshuarve, raporton Insajderi.
Insajderi ka sjellë sot hulumtimin ku njëri prej personave që ia kishte ‘shitur’ banesën Zekës, nuk i kishte dhënë asnjë cent. Madje sipas tij sa herë që Naser Hoxha i kërkonte parat Zekës për banesën e vetë, Zeka i dërgonte disa persona trupmëdhenj me porosi të qarta. “Të mos i kërkojë më paratë”.
Sipas deklarimeve të Zekës që i kishte bërë në fillim të muajit në AKK, ai posedon pesë banesa të blera në vitin 2007, 2011, 2012 dhe dy banesat në vitin 2015.
Fillimisht për banesën e blerë në vitin 2007, me sipërfaqe prej 62 metrave katror, sipas Zekës kjo banesë i kishte kushtuar 85 mijë euro. Për këtë banesë ai ka thënë së ka hyrë kredi.
Milaim Zeka në vitin 2011 ishte bërë me dy banesa, ai kishte blerë banesë më të madhe se herën e parë. Banesa e tij e dytë kishte 200 metra katrorë. Kjo banesë ishte më e madhe më shumë se dyfishi i banesës së parë. 170 mijë euro është shuma që Zeka ka deklaruar se ka blerë këtë banesë, ndërsa paratë thotë se i ka marrë nga shitja e shtëpisë, kursimet dhe të ardhurat personale.
Në vitin 2012, Zeka i bëri 3 banesa, ai e bleu në këtë vit një banesë me 200 metra katrorë, që i kushtoi 200 mijë euro. Paratë tha se i mori nga të ardhurat personale dhe kursimet nga puna në Evropë dhe Amerikë.
Në vitin 2015 Zeka vazhdoi të blejë banesa. Ai i bleu dy banesa, njërën me 126 metra katrorë dhe tjetrën me 200 metra katrorë. Njëra i kushtoi 80 mijë euro, ndërsa tjetra 140 mijë euro. Ai po thotë se edhe këto banesa i bleu me paratë që e shiti shtëpinë, kursimet dhe të ardhurat personale.
Zeka është duhet u hetuar nga Prokuroria e Shtetit për shkak se dyshohet se mashtroi 920 kosovarë me viza punë në Gjermani./Insajderi.com
Mashtrimi i Milaim Zekës – bëhet pronar i një banese 100 metra katrorë pa paguar asnjë cent