Kryetari i Komisionit Hetimor parlamentar për procesin e privatizimit në Kosovë, Hajrulla Çeku, ka thënë se procesi i privatizimit është një prej më të korruptuarve në Kosovë, njofton Insajderi.
“Besoj se ka qenë ashtu, sepse një nga arsyet që vazhdojmë të kemi ekonomi të pazhvilluar, standard shumë të ulët të jetesës dhe përballemi me probleme sociale dhe ekzistenciale, është se kur u ndërtua si politikë ekonomike, menjëherë pas luftës, privatizimi nuk është konceptuar si duhet”, ka thënë Çeku ne KTV.
Sipas tij, tani pas 20 vitesh, do të mund të konstatohej me lehtësi që metoda që e përcolli këtë proces ka qenë e gabuar.
“Asokohe na është thënë që duhet të privatizohet gjithçka në pronësi shoqërore dhe nuk është ofruar ndonjë alternativë”.
Çeku në fillim të intervistës ka folur rreth arsyeve të krijimit të këtij komisioni. Besimin në institucione e ka quajtur “një nga pikat më delikate të gjithë sistemit të integritetit në Kosovë”.
“Jemi të vetëdijshëm që pasi që nuk janë ndërmarrë veprime për t’i trajtuar keqpërdorimet, besimi i qytetarëve ka rënë deri në pikën e mosbesimit. Këtë nismë të Kuvendit të Kosovës, të paktën ne deputetët e Vetëvendosjes, e kemi marrë me shumë seriozitet”.
Ai ka treguar se komisioni e ka nisur punën para ca kohësh.
“Kemi mbajtur disa takime dhe e kemi miratuar planin e punës. Jemi në kontakt me shumë institucione që e kanë udhëhequr procesin e privatizimit. Synojmë t’i përgjigjemi disa pyetjeve, që në të vërtetë janë pyetje të qytetarëve”, ka thënë Çeku.
Procesin e privatizimit, si ka thënë ai, e kanë përcjellë “shumë përfolje”.
“Ato nuk janë vetëm përfolje, sepse ka pasur procese gjyqësore të zhvilluara ndërkohë”, ka thënë ai.
Çeku, si ka thënë, Komisioni nuk është keq, në raport me dinamikën.
“Nesër kemi mbledhjen e radhës, ku do ta miratojmë listën e dëshmitarëve dhe do të fillojmë të caktojmë intervistat. Po flasim për ish-zyrtarë të AKM-së dhe zyrtarë aktualë të AKP-së, po flasim për ish-ministrat…”, ka treguar ai.
Ceku, si ka theksuar, nuk është hetim penal, por parlamentar.
“Ne tentojmë t’i ndriçojmë disa aspekte të vështira, por edhe të rënda edhe për institucionet e gjyqësorit”, ka thënë ai./Insajderi.com