Çerdhet private në kryeqytet protestojnë para Komunës – Kërkojnë rihapjen

Çerdhet private në kryeqytet protestojnë para Komunës – Kërkojnë rihapjen

Pas paralajmërimit të kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, se nuk do të hapen çerdhet pa u analizuar mirë situata, kanë protestuar Asociacioni i Institucioneve Parashkollore Private përpara Komunës së Prishtinës, njofton Insajderi.

Gëzime Rexhepi-Çollaku nga ky asociacion akuzoi kryetarin Shpend Ahmeti për mos koordinim dhe mosbashkëpunim, madje ajo tha se për vendimin u njoftuan vetëm përmes një statusi të lëshuar në Facebook nga Ahmeti.

Më pas ajo tha se i kanë njoftuar prindërit që nga nesër mund t’i sjellin fëmijët në kopshte, por ky vendim i të parit të Prishtinës, thotë se i ka befasuar.

“Ne jemi sot këtu për t’u arsyetuar para të gjithë prindërve që i kanë përgatitur fëmijët e tyre që nesër t’i sjellin në kopsht. Nuk di se çfarë arsyetimi dhe si fëmijët do ta kuptojnë këtë arsyetim. Nuk jemi që ta dëmtojmë shëndetin e fëmijëve, mirëpo asnjë ekip nuk është formuar që të dalin në kopshtet e caktuara që të shohin se si zhvillohet dhe si zbatohen masat nga institucionet parashkollore private, kur dihet se të gjitha masat janë ndërmarr dhe janë zbatuar. Në këtë kohë vijueshmëria e fëmijëve ka qenë minimale dhe janë zbatuar në përpikëri duke u bazuar në manualet e IKSPHP-së”.

Ajo pati disa pyetje për kryetarin e Shpend Ahmeti, teksa theksoi se ky do të jetë vetëm fillimi dhe se nuk do të ndalen derisa të trajtojnë njëlloj sikurse institucionet tjera publike.

““Pse kjo ndalesë selektive? A ndoshta pse shumica diku 90%  e institucioneve parashkollore private janë në pronësi të grave dhe nuk jemi të zëshme, sepse ata janë të fortë dhe asnjëherë nuk marrin një model qoftë edhe në vendet fqinjë? Por ky është fillimi dhe nuk do të ndalemi me kaq”./Insajderi.com