“Çerdhja” e Graçanicës që abuzon me buxhetin e Kosovës

Komuna e Graçanicës paguan pagat, mallrat e shërbimet dhe investimet kapitale për institucionin parashkollor publik “Gjurgjevak”. Por, menaxherët e këtij institucioni i deponojnë në llogari private pagesat që bëjnë prindërit për qëndrimin e fëmijëve në “Gjurgjevak”. Autoritetet komunale e lejojnë këtë abuzim, përkundër paralajmërimeve të Auditorit që duhet të merren masa të menjëhershme nga kryetari Vladeta Kostiq.

“Çerdhja” e Graçanicës që abuzon me buxhetin e Kosovës

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, në raportin vjetor për vitin 2015, ka gjetur se inkasimi i të hyrave nga institucioni parashkollor publik “Gjurgjevak” në Komunën e Graçanicës, shkon në llogaritë private të menaxherëve, në vend se të deponoheshin në llogari të komunës.

“Institucioni parashkollor “Gjurgjevak” inkason të hyra nga participimi, por ato nuk deponohen në llogari të komunës. Të hyrat e inkasuara nga ky institucion deponohen në llogari private dhe menaxhohen nga udhëheqësit e saj”, thuhet në raportin e Auditorit, raporton Insajderi.

Të njëjtit institucion parashkollor, Komuna e Graçanicës ia mbulon të gjitha shpenzimet, përfshirë edhe pagat.

“Komuna mbulon shpenzimet e këtij institucioni për paga dhe mëditje, mallra dhe shërbime dhe investime kapitale”, thuhet më tej në të gjeturat e Auditorit.

Por Auditori thotë se nuk ka arritur të marrë vesh për shumën e të hyrave, për shkak se menaxhmenti nuk i ka raportuar ato.

“Ne nuk ishim në gjendje të konstatojmë vlerën e këtyre të hyrave. Kjo ka ndodhur sepse menaxhmenti nuk ka zbatuar rregulloret për menaxhimin e të hyrave dhe nuk ka vendosur kontrolle për të siguruar inkasimin, deponimin dhe raportimin e këtyre të hyrave në nivel të komunës”, vlerëson raporti.

Insajderi ka pyetur kryetarin e Komunës së Graçanicës, Vladeta Kostiq, lidhur me të gjeturat e përmendura në raportin e auditimit.

Nuk ka dhënë përgjigje konkrete se pse menaxhmenti i këtij institucioni parashkollor nuk i jep llogari autoriteteve komunale lidhur me shumat që inkasohen.

Kostiq në përgjigjet e dërguara me shkrim i është shmangur pyetjeve konkrete. Nuk ka dashur të komentojë se pse autoritetet komunale lejojnë që menaxherët e institucioneve komunale të mos raportojnë për të hyrat, por të abuzojnë me to duke i deponuar në llogari private.

Ka thënë se Kuvendi Komunal më herët e ka shfuqizuar vendimin me të cilin komuna ua paguante prindërve shpenzimet për fëmijët e tyre që i çojnë në institucione parashkollore.

“Duke pasur parasysh se ekziston vendimi i Kuvendit Komunal, përkatësisht shfuqizimi i vendimit të mëhershëm  që ka qenë për financim të prindërve për qëndrimin e fëmijëve në këtë institucion parashkollor, ne nuk kemi tani mundësi të zbatojmë pagesën e qëndrimit të fëmijëve në këtë institucion parashkollor”, ka thënë kryetari i Komunës së Graçanicës, Vladeta Kostiq.

Megjithatë auditorët, pa marrë parasysh a e kryen komuna apo prindërit financimin e qëndrimit të fëmijëve në institucione parashkollore,  rrezikun e shohin tjetërkund. Rreziku i abuzimit të buxhetit të shtetit, sipas auditorëve, qëndron tek fakti se menaxherët e institucioneve komunale i deponojnë në llogari private të hyrat nga qëndrimi fëmijëve në institucione parashkollore, në vend që t’i deponojnë në llogaritë komunale.

Ndërsa, zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, i ka thënë Insajderit se kjo Ministri nuk ka kompetencë t’i mbikëqyrë çështjet e tilla.

“MAPL është kompetente për mbikëqyrjen e ligjshmërisë së akteve komunale. Sa i përket të gjeturave dhe rekomandimeve nga këto raporte, mund të jenë objekt trajtimi vetëm nga institucionet kompetente gjyqësore”, ka thënë Gecaj për Insajderin.

Megjithatë, Auditori i Përgjithshëm e sheh si rrezik real arkëtimin e të hyrave komunale në llogari private.

“Arkëtimi i të hyrave komunale në llogari private dhe mos raportimi i tyre tek menaxhmenti i komunës është në kundërshtim me rregullat financiare dhe mund të jetë subjekt i mashtrimit si dhe rezulton me humbje financiare për komunën”, shfaqë rrezikun Auditori në raport.

Gjithashtu, Auditori i rekomandon kryetarit të komunës që të merr masa të menjëhershme për të vendosur kontrolle efektive për menaxhimin e të gjitha të hyrave nga institucionet komunale, përfshirë inkasimin, deponimin në llogarinë e komunës dhe raportimin e tyre.

Zbatimi efektiv i kontrolleve, sipas Auditorit, duhet të monitorohet formalisht në baza të rregullta nga kryetari.

Por kjo çështje duket se rrjedhë nga viti 2014 përmes legjitimimit të vetë autoriteteve komunale. Auditori i Përgjithshëm në raportin për vitin 2014, kishte gjetur se Kuvendi Komunal, përmes një vendimi kishte liruar institucionet parashkollore nga raportimi i të hyrave.

“Nga muaji mars 2014 Kuvendi Komunal, përmes një vendimi, ka liruar institucionet parashkollore nga raportimi i të hyrave nga participimi dhe deponimi i tyre në llogarinë e komunës. Nuk është e qartë nëse ky vendim është në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në raportin e vitit 2014./Insajderi.com