
Disa ministra të kabinetit qeveritar kanë aktakuza të ngritura nga Prokuroria për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe për “Korrupsion”. Probleme me ligjin kanë edhe shumë deputetë të Kuvendit të Kosovës. Përfaqësues të shoqërisë civile thonë se qeverisja me “duar të pastra” nuk mund të bëhet me ministra ose me zyrtarë të lartë publikë që kanë probleme me drejtësinë.
Pavarësisht se ndaj tyre tashmë janë ngritur aktakuza për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe për “Korrupsion” disa ministra të Qeverisë së Kosovës dhe disa deputetë të Parlamentit po vazhdojnë të qëndrojnë nëpër pozitat e tyre.
Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj, ministri i FSK-së Rrustem Berisha dhe ministri i Diasporës Dardan Gashi, janë disa prej ministrave aktualë, të cilët vazhdojnë të drejtojnë dikastere të rëndësishme qeveritare, ndonëse kanë aktakuza të ngritura nga Prokuroria.
Po ashtu aktakuza nga Prokuroria Speciale janë ngritur edhe ndaj deputetëve Zenun Pajaziti (PDK), Milaim Zeka (Nisma), Shkumbim Demaliaj (AAK), si dhe ndaj disa deputetëve të LVV-së (për hedhje të gazit lotsjellës), shkruan Zëri.
Gjatë ditës së djeshme është arrestuar deputeti i AAK-së Shkumbin Demalijaj për kërcënimet që i kishte bërë ish-prokurorit Elez Blakaj. Po ashtu gjatë ditës së djeshme Gjykata Themelore e Prishtinës ka lënë në paraburgim prej 30 ditëve deputetin e Nismës, Milaim Zekën për kërcënim ndaj prokurorit.
Zekë është duke u përballur me drejtësinë për arsyen se së bashku me partnerin e tij Ilir Krasniqi, dyshohen se kishin mashtruar 927 kosovarë me viza pune në Gjermani./Insajderi.com