Ceremonia e pritjes së Qeverisë së Kosovës nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut tashmë ka filluar, transmeton Insajderi.com.
Të dy qeveritë sot do të mbajnë mbledhje të përbashkët në Shkup.
Pak pa arritur kryeministrat, ministrat e të dy shteteve janë përshëndetur njëri me tjetrin, duke shkelur masën e parë anti-COVID. Ata kanë shtrenguar duart derisa kanë zënë vendet e tyre, shkruan Alsat-M.
Pas pak pritet të arrijnë edhe kreministri Zaev dhe kryeministri Kurti, ku më pas edhe do të fillojë mbledhja e përbashkët.
Siç njoftuan të mërkurën nga Qeveria, pritet nënshkrimi i marrëveshjeve nga sfera e infrastrukturës, energjetikës, ekonomisë, turizmit dhe sigurisë, inovacionit teknologjik si dhe marrëveshje për diasporën.
Takimi Zaev-Kurti është planifikuar të zhvillohet në ora 11:00. Ndërsa, në ora 11:30-12:30 mbahet mbledhja e përbashkët e dy Qeverive.
Në ora 12.30 fillon ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve/memorandumeve në mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Pas mbledhjes, nga ora 13:30-14:00, dy kryeministrat, do të mbajnë konferencë për media. /Insajderi.com