“Çështja e Kosovës të ndërlidhet me Republikën Serbe”

“Çështja e Kosovës të ndërlidhet me Republikën Serbe”

Kryetari i Këshillit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Millovan Drecun, i njohur për qëndrime radikale ndaj shqiptarëve e Kosovës, citohet nga e përditshmja e Beogradit, “V.Novosti” të ketë thënë se midis serbëve e shqiptarëve ka një hendek të thellë, se pajtimi është i domosdoshëm, porse këtë pajtim nuk mund ta bëjnë njerëz si Ramush Haradinaj, transmeton Koha.net.

Sipas tij, kur Ramush Haradinaj flet për pajtimin, ajo është cinike dhe se kontributi i tij më i madh nga ana e tij do të ishte që ai të përgjigjet para gjykatës për krimet e luftës.

“Sa më gjatë ta refuzojmë (pajtimin – plotësim ynë), do të krijojmë hapësirë manovruese. Serbia duhet të definojë qëllimet prioritare për periudhën e ardhshme. Për çështjen e Kosmetit (një emërtim për Republikën e Kosovës nga periudha e ripushtimit të Kosovës nga Serbia, pas Luftës së Dytë Botërore – sqarim ynë) duhet të lidhet Republika Serpska. Duhet të mendojmë mirë dhe të marrim qëndrim. Në periudhën e ardhshme këto dy çështje kyçe duhet të zgjidhen”, i ka thënë Drecun TV Pinkut, transmeton Koha.net.

Drecun arsyeton idetë e veta me një fjalor të dekadave të fundit të shekullit të kaluar, që përfunduan me krime e gjenocid mbi shqiptarët nga ana e Serbisë, “shqiptarët tani po bëjnë presion mbi serbët në Kosovë e Metohi dhe mbi Serbinë me sulme të vazhdueshme mbi serbë duke ua rrëmbyer pronat, ndërsa Shqipëria po e ngjallë tezën për bashkimin e dy shteteve”.

Duke folur për krimet në Kosovë, ai u shpreh se rrëfimet për krime janë manipuluar plotësisht dhe se vetëm serbët gjykohen, ndërsa shqiptarët jo.

“Ka shumë kallëzime të rreme kundër serbëve, çdo gjë bëhet për të shkaktuar destabilitet në Kosovë”, citohet të ketë deklaruar Drecun.