Çështja e kufijve të Republikës së Kosovës, dhe në vend të hulumtimit serioz shkencor, ASHAK del me një „deklaratë“!

Shkruan Hamdi Reqica

Çështja e kufijve të Republikës së Kosovës, dhe në vend të hulumtimit serioz shkencor, ASHAK del me një „deklaratë“!

Është imperativ shtetëror, guxim qytetar dhe patriotik të kesh një qëndrim politik, e sidomos një qëndrim shkencor lidhur me një ndër temat më të rëndësishme të Republikës së Kosovës që nga shpallja e pavarësisë, atë të kufijve të Republikës sonë.
Dhe jo veç guxim, por për disa hallka shtetërore siç është Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, është obligim ligjor të dal me një qëndrim shkencor!
Është kërkesë e arsyetimit të ekzistimit si e tillë, prandaj duhet të mbajë qëndrim!
Duhet të hulumtoj, duke krijuar ekipe hulumtuese e duke ndejur zgjuar me netë të tëra dhe ta sheh fatin e popullit dhe shtetit, të pikturuar me imazhet më të thukëta shkencore dhe politike, duke përllogaritur të gjithë faktorët ndikues: se si duhet të duket ky shtet së paku në 30 vitet e ardhshme!

Krahas këtij qëndrimi dhe hulumtimi, duhet të ketë forcë të përballet edhe me epitete të ulëta si „tradhëtar“ etj. sepse këto epitete do te të ngjiten nga pozicioni më i volitshëm, nga karrigeja e facebook-it.
Por ti duhet të qëndrosh edhe përkundër „luftës së ftohtë“ që do të zhvillohet kundër teje!

Në këtë kontekst, kam pritur gjatë që ASHAK do të dal me një hulumtim të pakontestueshëm shkencor, të matshëm teoritikisht dhe të aplikueshëm praktikisht, e që do ta rehatonte e qetësonte shpirtin e popullit tonë në këtë situatë jo stabile, do ti jepte politikës impulse të reja orientuese, do ta qartësonte pozicionin që duhet ndjekur si në „arenën“ e deklaratave, ashtu edhe në „fushëbetejen“ e bisedimeve dhe do ta përcaktonte fatin e këtyre bisedimeve duke parapërcaktuar kufijë të qartë politik, moral e shkencor, se deri ku duhet dhe mund të shkoj Republika jonë në këto bisedime.

Por, fatkeqësisht, ASHAK del veç me një „deklaratë“ të shkurtër duke rënditur në të disa lavdata për veten, duke përmendur disa akte ndërkombëtare për Kosovën, e që në asnjë mënyrë nuk i cenon, prekë apo konteston dikush ato!
ASHAK në „deklaratën“ e saj, ka vënë veten dhe neve si qytetarë në lajthitje duke përmendur ato akte ndërkombëtare për Kosovën duke vënë në diskutim Pavarësinë e Republikës së Kosovës!
Bisedimet e ardhshme mes Kosovës dhe Serbisë nuk janë bisedime për pavarësi:
Pavarësia e Republikës së Kosovës është një, unikate, e pakthyeshme, e pakontestueshme, hyjnore dhe e qëndisur me gjakun e derdhur për më shumë se një shekull!

Por, në këto bisedime hyhet për ta fisnikruar pavarësinë, duke e bërë ish pushtuesin ta pranoj atë, në një ceremoni festive në Zyrën Ovale!

Andaj, ASHAK, ka dështuar, mua si qytetar i kësaj Republike, të më jap përgjigje për ankthet e mia se çka do të ndodhë me Republikën time nëse vazhdohet kjo gjendje e status quos?
Ka dështuar të jetë vizionare për arritjen e një paqeje afatgjate!
Ka dështuar ta ndihmoj Ekipin Negociues të Republikës së Kosovës për hartimin sa më të fuqishëm të një platforme politike për bisedime!
Ka dështuar ta ndal zbrazjen e Luginës nga popullata shqiptare, dhe ka dështuar ti rris kufijtë e Kosovës edhe me Luginën!

Dhe, ka dështuar, jo se i mungojnë mendjet e ndritura që ka në mesin e vet, por ka dështuar në angazhimin serioz!