Çfarë i tha Sali Berisha, Bushit për Kosovën – tregon ish-kryeministri

Çfarë i tha Sali Berisha, Bushit për Kosovën – tregon ish-kryeministri

Ish-kryeministri dhe ish-presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha foli edhe për takimin me ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Geroge Bushin e vjetër, duke zbuluar detaje të bisedës së tyre. Ai shtoi se i kishte thënë që në rast se Jugosllavia e sulmon Kosovën, nuk do të ketë kufi mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Berisha tha se “Unë i thashë që Shqipëria nuk e sulmon Jugosllavinë, por në rast se Jugosllavia e vë në plan projektin për ndarjen e Kosovës dhe spastrim etnik, nuk do të ketë kufi mes Shqipërisë dhe Kosovë, dhe do bëj gjithçka që shqiptarët t’i mbrojnë vatrat e tyre”.

Berisha tha se presidenti Bush i ishte përgjigjur “right point” që në shqip do të thotë “me të drejtë”.

Berisha shpalosi edhe detaje që SHBA-ja ia kishte bërë Jugosllavisë.

“Mbi bazën e informacioneve që ia dhashë unë, edhe informacioneve të tjera, ata ia tërhoqën vijën e kuqe Millosheviqit: ‘Po u vendose trupat ushtarake në Kosovë, do të bombardohesh me të gjitha armët që i kemi’” tha Berisha.

Madje Berisha shtoi se Shqipëria ka pasur rol të pazëvendësueshëm për Kosovën, dhe se ai kishte folur për Kosovën në çdo takim me ndërkombëtarët.

“Në atë kohë ishim njerëz që kishim përmbysur sistemin, dhe takimet përcilleshin me shumë interes.” tha ai. Madje ai shtoi se roli i Shqipërisë ka qenë shumë i madh për shkak se edhe “Qeveria e Kosovës zhvillohej nga territori i Shqipërisë, e këtë ia kam thënë në takim edhe Bushit”.