Çfarë ndodhi me trupin e Admir Muratajt, që u vra gjatë grabitjes së miliona eurove

Çfarë ndodhi me trupin e Admir Muratajt, që u vra gjatë grabitjes së miliona eurove

Admir Muratajt do t’i jepet lamtumira e fundit në Tropojë, aty ku ai ka lindur. Familjarët janë shprehur se ceremonia mortore do zhvillohet në qytetin e Tropojës, ditën e premte në orën 12:00. Sot në mesditë familjarët kanë tërhequr trupin e Admir Muratajt nga Morgu në QSUT dhe i janë drejtuar Prezës, aty ku banon familja e ish-supergrabitësit.  Vëllai i tij Cen Murataj, ishte bashkë me familjarë të tjerë, teksa tërhoqën trupin e të afërmit të tyre.

Admir Murataj u vra dy ditë më parë, pas një grabitje spektakolare brenda në aeroportin e Rinasit. Furgoni i grabitësve, që mendohet të kenë qenë katër veta, u ndoq nga policia pas grabitjes, ku pati shkëmbim nga të dyja palët duke lënë të vrarë Admir Muratajn.

Admir Murataj njihet ndryshe edhe si Admir Nikaj dhe është me origjinë nga Tropoja. Eshtë i martuar me një grua nga Berati e cila jeton me fëmijët në Prezë të Tiranës. Kanë dy vajza, njëra prej të cilave e martuar, dhe një djalë. Murataj kishte 18 vite që jetonte në Greqi, dhe vinte shumë rrallë në Shqipëri, vetëm gjatë pushimeve verore.

Vëllai i tij që dje së bashku me bashkëshorten e Admirit dhe të afërm të tij identifikuan trupin në morgun e Tiranës, tha se Admiri nuk është organizatori por një vegël. Sipas tij, janë shokët që e lanë në rrugë dhe e hodhën të vdekur, duke lënë të nënkuptuar se do të marrë hak, duke u përpjekur t’i gjejë vetë se kush janë bashkëpunëtorët.