Çfarë përmban programi qeverisës për katër vjetët e ardhshme

Çfarë përmban programi qeverisës për katër vjetët e ardhshme

Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, të premten ka miratuar programin qeverisës për vitet 2021 – 2025 si dhe ka marrë disa vendime tjera.

Në këtë votim, të gjithë ishin pro përveç ministrit nga Lista Serbe, Goran Rakiq, i cili abstenoi nën arsyetimin se nuk e ka marrë me kohë programin.

Sipas një njoftimi të Zyrës së Kryeministrit, Qeveria synon të fokusohet në dy prioritete themelore dhe më urgjente:

Menaxhimin e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, duke synuar që të minimizohen pasojat në shëndetin publik dhe lehtësimin e pasojave ekonomike dhe sociale të shkaktuara nga pandemia, të cilat kërkojnë mobilizimin e potencialit shtetëror.

Një prej pikave të programit Qeverisës është përgatitja e padisë për Serbinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Po paraqes disa prej zotimeve në vijim dhe përmbajtjes kryesore të programit tonë – Do të ndërmarim Vetting në drejtësi e prokurori dhe pozitat e larta në polici dhe inteligjencë. Nuk do të ketë asnjë qytetar në varfëri ekstreme, sepse do të reformojë skemat sociale dhe do të aktivizojmë fuqinë punëtore. Do të rishikojmë skemat e asistencës dhe do të reformojmë sistemin pensional. Do të sigurojmë shtesat për fëmijët, punësim të garantuar sezonal për një anëtar të familjes dhe rimbursim për familjet e varfra”, ka thënë Kurti.

Në program përmendet edhe aplikimi për anëtarësim në Bashkimin Evropian, vettingu në drejtësi prokurori, rishikimi i skemave sociale, rritja e pagës minimale, reformat në administratën publke dhe arsim, si dhe krijimi i Bankës Zhvillimore dhe Fondit Sovran.

“Këto prioritete do të zbatohen brenda kufijve buxhetorë, ku si rrjedhojë Programi do të rishikohet çdo fillimvit financiar përmes Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve, për t’u përditësuar me sfidat dhe mundësitë e reja brenda koordinatave të politikave qeverisëse”, thuhet në njoftimin e ZKM-së./Insajderi.com