Çfarë tragjedie ky debat mes Linda Reit dhe Kujtim Gjuzit

Shkruan: Alberta Kamenica

Çfarë tragjedie ky debat mes Linda Reit dhe Kujtim Gjuzit

Kujtim Gjuzi, deputet i Partisë Konservatore, përkrah Silvana Bushatit, zv.Presidentet e kësaj partie, përballë Linda Reit, gruas transgjinore më të famshme në vend dhe pastor Akil Panos. Nëse fjalët konservator dhe transgjinore në të njëjtën fjali ju shkaktuan stres, keni të drejtë. Kjo puntatë e “360 gradë” nga Artur Zheji ngjalli çdo pikë neverie që kisha në trup, por besoj se këtë synim kishte.

Paneli supozohej të fliste për shqiptarët, në janë të bukur dhe modernë dhe brenda pak minutash, Gjuzi u hodh në sulmin më transfobik që më kanë dëgjuar veshët ndaj Linda Reit. I referohet me përemra mashkullorë vazhdimisht, e quan skandaloz transformimin e saj, sugjeron studimin e saj nga antropologët, i thotë që s’ka shans të bëjë fëmijë e as të marrë trëndafila nga një burrë, a thua se ky është synimi i jetës.

Gjuzi është agresiv në ato që thotë dhe pa dyshim, ato që thotë janë të mbushura me urrejtje dhe mllef ndaj dikujt që s’po i bën asgjë. Krejt e kundërta, është Gjuzi që mesa duket i mban pishtarin Lindës dhe sjell në studio skulptura për të demonstruar lidhjen hyjnore mes burrit dhe gruas. Injoranca në fjalët e tij është e papërmbledhshme në tekst, duhet dëshmuar vetë.

Si konservator, ai supozohet të ruajë disa vlera, por se çfarë vlerash janë këto nuk bëhet e qartë. Askush s’po cënon familjen e tij, traditën e vendit, historinë, zakonet. Janë të gjitha të paprekura. Një grua transgjinore apo kushdo nga komuniteti LGBTQ, kanë ekzistuar që në fillesat e njerëzimit dhe tani kanë rigjetur mundësinë për të luftuar për të drejta të barabarta. Gjuzi kërkon të mbyllë sytë ndaj kësaj pjese të popullsisë, sepse vetë s’e përtyp dot e s’ia ha dot truri, jo se i kërcënon atij ekzistencën në ndonjëfarë mënyre.

Përveç retorikës shkatërrimtare të deputetit (s’e perceptoj dot plotësisht që ky njeri përfaqëson shqiptarë në Parlament), Linda duhet të përballet edhe me Silvana Bushatin që mendon se fakti që është 195 cm, super origjinale dhe fakti që mund të jetë nënë shumë e mirë nesër, e bën njeri më të mirë. Jo! Superiore ndaj Lindës. Është spektakël më vete të shohësh se si kjo grua që e shet veten për të shkolluar dhe të bredhur nuk arrin të kuptojë diçka shumë të thjeshtë: disa gra nuk duan të bëhen nëna dhe nuk i konsiderojnë fëmijët misionin e vetëm në jetë.

Ngjan e pamundur, por situata degjeneron nga minuti në minutë. Kur akuzohet se është false, ngaqë i është nevojitur operacion për të ndryshuar seks, Linda Rei i kërkon Bushatit të heqë qerpikët, meqë edhe ajo ka diçka false në trup. Për ta nxitur, i heq vetë e para, por kundërshtarja nuk përgjigjet. Në këtë moment, del nga deliri dhe pyet veten ç’dreqin po sheh dhe pse ekziston diçka e tillë.

Ky cirk, orkestruar nga Artur Zheji, është kaq i panevojshëm dhe i dëmshëm për shikuesin. Duhet pasur parasysh se kur vë përballë dy palë të kundërta, që ndajnë mendime të kundërta, asnjëri nuk do të ndryshojë krah. Është thjesht e pamundur, vërtetuar shkencërisht. E zëmë se ju besoni në Zot. Çfarëdolloj argumenti t’ju japë pala tjetër, nuk do të ndaloni së besuari krejt papritur dhe të takoni duart miqësisht. E njëjta gjë dhe në këtë rast. Çfarëdolloj argumenti të japë Linda apo Gjuzi, asnjëra palë, as tjetra, nuk do të heqë dorë nga e vetja. Por nese keni nevojë të bindeni se njerëzit transgjinorë meritojnë të drejta të barabarta dhe duhen trajtuar me të njëjtin respekt e njerëzillëk si gjithë të tjerët, na vjen keq, por jeni në anën e gabuar të historisë.

Problemi më i madh është se kjo përballje nuk bazohet në argumenta, por ndjenja dhe banalitete, tallje dhe përqeshje. Nëse doni të demonstruar të kundërtën e një bisede intelektuale, shihni këtë video. Për më tepër, Zheji, që supozohet të moderojë, thjesht argëtohet dhe qesh. Tek-tuk i shpjegon ndonjë referencë të kohës së xhaxhit Lindës. Edhe pse paneli ka dalë tërësisht nga tema dhe nga binarët, ai është i kënaqur sepse cirqe të tilla përfliten (siç po bëj tani, për fat të keq) dhe thithin vëmendje. Publiku shqiptar ka një lidhje të veçantë me gjërat skandaloze.

Me gjithë naivitetin tim, besoj se media duhet të jetë më e vetëdijshme për pushtetin që mbart, për mesazhin që i përcjell popullsisë, për kohën që i ha pa u dhënë diçka në këmbim. Dhe ky debat, përhap vetëm urrejtje ndaj një komuniteti që s’do asgjë, veçse të shohë punën e tij në paqe.