Çfarë po ndodhë me Vetëvendosjen në Prizren?

Çfarë po ndodhë me Vetëvendosjen në Prizren?

“Nuk ka përçarje në Lëvizjen Vetëvendosje në Prizren, nuk ka as fraksione – ka disa mosmarrëveshja për të cilat i qëndroj pas atyre që kam thënë”.

Kështu deklaroi për Gazetën Online Insajderi, kreu i kuvendarëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, Karanfil Haxhillari.

“Turp të qoftë kryetar” e “do të shihemi në organet e partisë”, ishin disa nga fjalët e Haxhillarit drejtuar kryetarit të Prizrenit, Mytaher Haskukës, gjatë një fjalimi në Kuvendin Komunal.

Ky diskurs i Haxhilarit i cili njëkohësisht është sekretar organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje në këtë qytet, erdhi pas një postimi në Facebook të Mytaher Haskukës.

Më 25 shkurt, kryetari i qytetit të kulturës kishte akuzuar partitë opozitare për sabotim të një projekti që lidhet me rregullimin e 100 shkollave, qendrave të mjekësisë familjare dhe ndërtesave publike.

Në akuzën për “pengim të këtij projekti” Haskuka përfshiu edhe disa asamblistë e Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren.

“Është për keqardhje që jo për herë të parë edhe disa asamblistë të VETËVENDOSJES koordinohen me këta të PDK-së, LDK-së, NISMA’s dhe AAK-së, për sabotimin e projekteve qeveritare”, kishte shkruar Haskuka.

Pikërisht, 25 shkurti nuk ishte rasti i parë kur u shfaqën divergjencat në mes zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren.

Burime të Insajderi-it brenda degës së VV-së në këtë qytet, thonë se edhe gjatë fushatës zgjedhore të 14 shkurtit ka pasur një zbehje të raporteve në mes të “tre fraksioneve”, për të cilat Haxhillari mohoi se ekzistojnë.

Udhëheqës i një të ashtuquajtur “fraksion” kundër Haskukës pretendohet të jetë Hajrullah Ceku.

Kështu i tha Insajderi-t, një burim brenda degës së VV-së.

Hajrullah Ceku nuk i pranoi si të sakta këto pretendime.

“Nuk kam asnjë lidhje me çfarë po ndodhë në Prizren. Për më tepër, nuk kisha dashur as me i komentu fantazitë e njerëzve”, tha Ceku.

Ndodhitë e fundit të mospajtimeve, për të cilat tashmë janë shfaqur në publik, burime të brendshme thonë se fillen e kanë tek përzgjedhja e kabinetit nga Haskuka si dhe për emrin e kandidatit për kryetar të Prizrenit nga partia e Albin Kurtit në zgjedhjet lokale 2021.

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, më 22 shtator 2020, gjatë një interviste për Insajderi-n, kishte thënë se ka synim edhe për një mandat.

Ndërsa, Haxhillari, tha se “organet e partisë vendosin për kandidatin e Vetëvendosje për kryetar të Prizrenit”.

Lëvizja Vetëvendosje kishte arritur ta fitonte Prizrenin në vitin 2017 pas balotazhit.

Ndërsa, në vitin 2021 u thellua diferenca në vota ndërmjet Vetëvendosjes dhe subjekteve tjera politike. /Insajderi.com