Ish-ambasadori amerikan në Kosovës, Christopher Dell, ka thënë se intervenimi ushtatak nga NATO ka qenë i nevojshëm në Kosovë dhe është dashur të ndodhë, njofton Insajderi.
Në një intervistë për Oral History Kosova, ku Dell ka folur për karrierën e tij diplomatike në kuadër të Shërbimit të Jashtëm të Departamentit të Shtetit që nga vitet ’80, ka thënë se intervenimi i NATO-s përmes ajrit ka mundur të mos ishte i suksesshëm sikur të mos kishte bashkërendim me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në terren.
“Në fillim nuk e kam kuptuar situatën agresive të serbëve për spastrim etnik në Kosovë dhe besoj se na duhej ta ndalonim, nuk kam pasur asnjë dyshim për intervenimin në Kosovë. Ne kishim shembullin e Bosnjës, Kroacisë me luftëra dhe nuk mund të rrije ulur dhe të shpresoje se Millosheviqi do të fillonte të sillej mirë”, ka thënë ai.
“Nuk jam shumë i sigurt nëse sulmet ajrore do të funksiononin, prandaj nevojitej bashkëpunimi me njerëzit në terren, pra me UÇK-në, dhe kjo bëri që taktikat tona të jenë më të suksesshme në intervenim. Po ashtu edhe pamjet e refugjatëve në trena, duke ikur nga shtëpitë e tyre e demaskuan Millosheviqin dhe taktikat e tij dështuan dhe lejuan që perëndimi të intervenojë”, ka thënë Dell.
Dell tutje ka kujtuar edhe kohën gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 kur ai shërbente në Bullgari.
Ai ka rrëfyer fushatën ajrore të NATO-s kur një raketë e lëshuar nga aeroplanët e aleancës veriatlantike ka përfunduar gabimisht në kryeqytetin bullgar një kilometër nga vendi ku ai po qëndronte pasi raketa kishte huqur cakun si pasojë e fikjes së shpejtë të radarëve nga ana e ushtrisë jugosllave.
Më gjerësisht mund ta ndiqni intervistën e ish-ambasadorit Christopher Dell këtu: /Insajderi.com