Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, tha të enjten se synon të emërojë diplomatin e vjetër, Christopher Hill, për ambasador në Serbi.
Hill u tërhoq nga shërbimi i jashtëm në 2010 pasi shërbeu si ambasador në Irak, shkruan AP, transmeton Shqip.com.
Gjatë karrierës së tij, ai ndihmoi në negocimin e një zgjidhjeje paqësore në vitin 1995 për t’i dhënë fund luftës trevjeçare në Bosnje-Hercegovinë dhe ishte kreu i delegacionit amerikan në vitin 2003 në bisedimet me gjashtë vende që kishin për qëllim të bindnin Korenë e Veriut të hiqte dorë programin e tij bërthamor.
Hill ishte ambasadori amerikan në Maqedoni, Poloni dhe Korenë e Jugut si dhe i dërguar special në Kosovë.
Ai u emërua si ndihmës sekretar shteti për çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit gjatë administratës së George W. Bush.
Hill aktualisht është një profesor ndihmës në Shkollën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Publike të Universitetit Columbia.
Ai njihet për kontributin e tij në Kosovë gjatë viteve 90-ta, për çfarë edhe ishte nderuar me Çmimin Robert C. Frasure për Negociatatat për Paqe në Kosovë.
Diplomati 69-vjeçar pritet të merr konfirmimin e Senatit amerikan./Insajderi.com