“Çika ka ardhë në shtëpi me gojë të ënjtur” – reagon nëna e 7-vjeçares që u rrah nga një 29-vjeçar në Istog

“Çika ka ardhë në shtëpi me gojë të ënjtur” – reagon nëna e 7-vjeçares që u rrah nga një 29-vjeçar në Istog

Pamje të rënda kur u sulmua K.M, 7-vjeçare, nga një person i moshës madhore.

Përmes identifikimit nga kamerat e sigurisë, të hënën L.D u arrestua, nën dyshimin se ka kryer veprën “lëndim i lehtë trupor”, raporton KTV.

E ëma e së miturës, Florentina Mehmeti, thotë që ajo kishte shkuar në dyqan për të kryer disa nevoja familjare, në kohën kur ishte sulmuar.

“U kanë kah akshami. Nuk e di përafësisht çfarë ore ka qenë, por e kam çuar vajzën me ble bukë këtu në shitore. Edhe ai e ka marrë çikën edhe e ka shtyrë, pastaj ka ardhë çika në shpi; e kish pas gojën e ënjtur dhe shpinën e lënduar”, ka thënë nëna e vajzës 7-vjeçare.

Mirëpo, KTV-ja mëson se 7-vjeçarja, bashkë me disa fëmijë të tjerë të komunitetit shkali, kohë pas kohe, paraqiteshin në afërsi të dyqanit për të kërkuar lëmoshë.

Ndërkaq, sipas pronarëve të vetë dyqanit, fëmijët nuk shkaktonin ndonjë problem.

Në anën tjetër, sipas prokurorit të rastit, Astrit Gashi, motivet që çuan në sulm kanë të bëjnë me përkatësinë etnike të së miturës.

Sipas policisë, rasti kishte ndodhur, pothuajse, një javë më parë dhe i dyshuari 29-vjeçar u arrestua të hënën, derisa Prokuroria tashmë ka kërkuar paraburgim për të.

“Policia e Kosovës, pas shikimit të video-incizimit, ka ndërmarrë masa të menjëhershme për arrestimin e të dyshuarit. Rasti ka ndodhur me datën 14.08.2019, në orën 14:00, në Gurrakoc-Istog. Pas një pune intenzive operativo-hetimore, sot më datë 19.08.2019, rreth orës 09:23, Policia e Kosovës- Stacioni Policor Istog, ka arrestuar të dyshuarin L.D, lindur më 1990 m/k/sh”, ka thënë Gashi.