Cili është historiku i plisit të bardhë?

Cili është historiku i plisit të bardhë?

Në kuadrin e veshjes popullore, plisi zë vend të veçantë.

Duke qenë njëri ndër pjesët më kryesore të veshjes sonë kombëtare dhe simbol i identitetit kombëtar shqiptar, plisi u ruajt me xhelozinë më të madhe nga populli ynë, që nga kohët e hershme e deri në ditët e sotme, shkruan Valon Shkodra, në numrin e sotëm të Kohës Ditore. Për origjinën e plisit flasin qartë studimet e arkeologëve, etnologëve, historianëve dhe gjuhëtarëve shqiptarë dhe të huaj.

Në popull e hasim me emra të ndryshëm, si: kësulë, qylah, qylaf, qeleshe, kapicë, kapuç, kapelë, varësisht nga krahinat etnografike. Studiuesi Dhimitri Pilika, në librin e tij Pellazgët dhe origjina jonë e mohuar, për qylahun (plisin) shkruan: “Qylafi pranohet njëzëri nga shkenca e sotme si element para helen.

Qysh nga mijëvjeçari i dytë p.e.s e mbanin të varfrit, më pas skllevërit, që prej Panonie deri përtej gjirit të Korintit. Si djep i veçantë i qeleshes “Arbërore“ ka qenë Kaonia (Chaonia), me epiqendër në vendbanimet e stërmoçme të Orikut (Orikos, Oricum) e Tragjasit (Tregas, Dragjat, Tregasaj), sikundër mbetet gjer sot e kësaj dite shprehet ai”.

Duke u bazuar në të dhënat se dalmatët janë marrë kryesisht me blegtori, jemi të mendimit që, përveç Kaonisë, si qendër për prodhimin e plisit ka qenë edhe treva tjetër ilire, ajo e Dalmacisë (Dalmatia).

Sa i përket fjalës plis, mendohet që rrjedh nga gjuha e vjetër greke “Pilos”, që d.m.th., kapelë e zbrazët (boshe). Në “Fjalorin e Gjuhës Shqipe” (Tiranë 2006) fjala plis e ka kuptimin cohë jo e endur, por që bëhet me lesh të shkelur (ngjeshur) mirë dhe të larë disa herë me sapun. Në gjuhën latine fjala plis (pileus, i, m. pile) kësulë, plisi: simbol lirie: servos ad pilum vocare, thërras skllevërit për kryengritje; pileum redimere, fitoj lirinë. Megjithatë, kjo mbetet të studiohet më shumë nga studiuesit e fushave të etimologjisë, linguistikes, arkeologjisë etj.