Ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku i ka kërkuar zëvendëskryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, që të reagojë pas deklaratës së ministrit të Drejtësisë dhe Pakicave në këtë shtet, Vladimir Leposaviq, lidhur me gjenocidin e kryer në Srebrenicë, përcjell Insajderi.
Çitaku i ka kërkuar Abazoviqit që të flas me ministrin Leposaviq.
“Foli Ministrit tënd të Drejtësisë”, ka shkruar ajo në Twitter.
Ndërkohë, Abazoviq të martën ka reaguar ndaj deklaratës së Leposaviq, i cili i pyetur nëse ishte i gatshëm të pranonte që në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid, iu përgjigj duke thënë “jam gati kur të vërtetohet pa dyshim”, duke vënë në pikëpyetje besueshmërinë e Tribunalit të Hagës dhe gjykatave ndërkombëtare të drejtësisë.
Në një postim në Twitter, Abazoviq ka shkruar se në Srebrenicë është kryer gjenocid, ndërsa ka shtuar se Qeveria e Malit të Zi i respekton të gjitha gjyqet ndërkombëtare.
Sipas tij, kushdo që nuk e kupton një gjë të tillë, s’ka vend në institucione të këtij shteti.
“Në Srebrenicë ka pasur gjenocid. Qeveria e Malit të Zi respekton të gjitha gjykimet ndërkombëtare. Në këtë pikë s’ka çfarë diskutohet. Kush nuk e kupton këtë gjë, s’ka vend në institucione e në funksione shtetërore. Le të shohim nga e ardhmja, kemi shumë punë për të bërë”, ka shkruar Abazoviq.
Talk to your Minister of Justice. https://t.co/4sfQj09umd
— Vlora Çitaku 😷 (@vloracitaku) March 30, 2021
Deklarata e ministrit Vladimir Leposaviq ka shkaktuar reagime të dhunshme nga publiku në Mal të Zi.
Reagim pa pasur edhe nga Bashkimi Evropian, ndërsa partia Liberale (LP) ka kërkuar dorëheqjen e ministrit Leposaviq, siç kanë thënë ata, për shkak të “qëndrimeve të turpshme” në lidhje me Srebrenicën që ai ka shprehur në Parlamentin e Malit të Zi./Insajderi.com