
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj, është në fazën finale të konsultimeve për përzgjedhjen e ambasadorëve të rinj, transmeton Insajderi.
Vlora Çitaku vazhdon të jetë ambasadore në detyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe pse dy muaj më parë presidenti Hashim Thaҫi kishte nënshkruar dekretin për tërheqjen e saj nga ky post.
“Në Washington është ende në detyrë Ambasadorja znj.Vlora Çitaku, e cila do ta përfaqësojë Kosovën deri në emërimin e ambasadorit të ri, siç është përcaktuar në dekretin e tërheqjes së saj të nënshkruar nga Presidenti”, kanë thënë nga MPJD për Express.
Tutje, në përgjigjen e MPJD-së thuhet se kjo ministri është në fazën finale të përzgjedhjes së ambasadorëve të rinj, përfshirë këtu edhe shefin e misionit diplomatik në Amerikë.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është në fazën finale të konsultimeve për përzgjedhjen e ambasadorëve të rinj. Secili vendim do të merret në konsultim të plotë me Kryeministrin e vendit, ashtu siç e parasheh ligji dhe Kushtetuta”, përfundon përgjigja e tyre. /Insajderi.com