Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka thënë se deklarata e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se mund të ketë një konflikt të ri në Kosovë, ka shkaktuar shumë panik dhe huti.
Në një intervistë për media, Çitaku tha se një kryeministër serioz nuk bën paralajmërimet për luftë nga plazhet dhe koncertet por mobilizohet.
“Ka qenë një deklaratë e cila ka shkaktuar shumë panik, shumë huti, shumë paqartësi. Një kryeministër, nëse është serioz në atë çfarë thotë, kur bën paralajmërime për luftë, nuk i bën ato nga plazhet e Greqisë e as nga koncertet. Kur ka paralajmërime serioze për luftë, kryeministri fton mobilizim, i drejtohet popullit, i drejtohet qytetarëve dhe e sqaron situatën”, tha Çitaku.
“Lufta në Kosovë ka përfunduar 23 vite më parë. Mirëpo, kryeministri duhet të jetë më i matur, më i kujdesshëm në adresimin publik. Nuk duhet të krijojë panik. Nëse ka paralajmërime, kryeministri Kurti duhet t’i bëjë publike ato, t’i denoncojë ato”.
“Ne tani duhet të insistojmë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse e cila ka njohjen reciproke në qendër. Çdo gjë tjetër e mirëmban status quo-n dhe ne e dimë se mirëmbajtja e status quo-s shkon në favor të forcave destruktive në rajon dhe më gjerë”.
Ndërsa, ajo tha se për stabilitetin e Kosovës duhet të koordinohen me aleatët ndërkombëtar.
“Posaçërisht kur është në pyetje siguria dhe stabiliteti i vendit, duhet të koordinohemi me aleatët tanë. Aleatët tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet aleate brenda Bashkimit Evropian, kanë thënë shumë qartë se Kosova ka të drejtë dhe është pjesë e marrëveshjes së Brukselit, pra vendosja e reciprocitetit të pjesshëm në targa dhe në karta të identitetit. Megjithatë çdo hap duhet të jetë i koordinuar ngushtë”.
Në një intervistë për Reuters, Kurti tha se ata janë vigjilent por jo edhe të frikësuar.
“Ne nuk duhet të përjashtojmë se këto politika agresive të Beogradit mund të kthehen gjithashtu në një sulm kundër Kosovës në një mënyrë apo tjetrën. Ne jemi vigjilentë, por jo të frikësuar Nuk po them se do të na sulmojnë këtë javë ose më pas, por do të ishte krejtësisht e papërgjegjshme të përjashtojmë mundësinë e tensioneve në rritje dhe konflikteve të reja.”
Sipas Reuters, partitë opozitare në Kosovë e kanë akuzuar Kurtin për frikësimin e investitorëve duke folur haptazi për një konflikt të ri të mundshëm me Beogradin./Insajderi.com