Çitaku e kërkoi vetë lirimin nga detyra e ambasadores në SHBA

Çitaku e kërkoi vetë lirimin nga detyra e ambasadores në SHBA

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka nënshkruar dekretin për tërheqjen e Vlora Çitakut nga pozita e ambasadores në Uashington.

Mirëpo, lirimin nga detyra e shefes së Misionit Diplomatik të Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e ka kërkuar vetë Çitaku.

Në letrën që Çitaku i ka dërguar më 24 shtator presidentit Hashim Thaçi, ajo nuk ka dhënë arsyet për një veprim të tillë, ndërsa ka kërkuar që t’a lirojë nga detyra e ambasadores, post që mbajti për pesë vjet me radhë.

“Për më shumë se pesë vite, ka qenë nderi i jetës time që të përfaqësoj Republikën e Kosovës në SHBA. Me këtë rast, dëshiroj të falënderoj të gjitha institucionet e Kosovës për besimin dhe mbështetjen që më ka dhënë mua dhe Ambasadës së Kosovës në SHBA ndër vite”.

Çitaku ka deklaruar se është e gatshme që të qëndrojë në detyrë për një periudhë kohore, derisa të bëhet zëvendësimi i saj. /Insajderi.com