Çitaku e quan joprofesionale dhe papjekuri deklaratën e Sallahut për të akuzuarit e Speciales

Çitaku e quan joprofesionale dhe papjekuri deklaratën e Sallahut për të akuzuarit e Speciales

Ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, e ka quajtur joprofesionale dhe papjekuri deklaratën e zëvendësministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, i cili mbrëmjen e së mërkurës tha se “dikush nga të akuzuarit e Speciales ka marrë para më shumë se që duhet për mbrojtjen e tyre”, njofton Insajderi.

Sipas Çitakut, të akuzuarve nga Gjykata Speciale, të cilët po mbahen në Hagë, po ju bëhet luftë speciale në Kosovë.

Ajo në një postim në Facebook i është drejtuar Sallahut me fjalët: “Ju zotëri jeni zv. ministër. Ju keni qasje në informacion. Ju nuk keni nevojë të shërbeheni me fjalë të korridoreve”.

Ky reagim i Çitakut ka ardhur pasi zv. ministri Sallahu është shprehur se ai informacion është jozyrtar që ka dëgjuar dhe se sipas tij, një gjë e tillë duhet të verifikohet.

“Flitet nëpër ministri që dikush nga të akuzuarit ka marrë para më shumë se që parashihet me akte nënligjore, sa është e saktë nuk e di”, ka thënë ai./Insajderi.com