Çitaku flet për shqiptarët e prekur nga vërshimet në Houston

Çitaku flet për shqiptarët e prekur nga vërshimet në Houston

Ambasadorja e Kosovës në Washington, Vlora Çitaku, ka njoftuar se institucioni që ajo udhëheq është përkujdesur që të komunikojë me shqiptarët në Houston të Texasit.

Çitaku ka njoftuar se përveç dëmeve materiale, shqiptarët janë jashtë rrezikut për jetë.

“Me shqetësim po përcjellim pasojat e fortunës dhe vërshimeve në #Huston. Në zonat e prekura dhe përreth tyre jetojnë qindra familje shqiptare. Kam komunikuar me disa prej tyre dhe jam njoftuar që përveç dëmeve materiale, të gjithë janë shëndosh dhe jashtë rrezikut”.

“Ambasada e Kosovës dhe Konsulata në New York janë në dispozicionin tuaj. Kontakti emergjent është [email protected], nga State Department jemi njoftuar se asnjë shtetas i huaj nuk ka pësuar me fatalitet”, ka shkruar ajo.

Uragani ‘Harvey’ është stuhia më e madhe që ka goditur Amerikën në 12 vitet e fundit, duke shkaktuar së paku 9 viktima në njerëz dhe dëme të jashtëzakonshme materiale.