Çitaku: Mali i Zi është mik i Kosovës, duhet ta trajtojmë me respekt

Çitaku: Mali i Zi është mik i Kosovës, duhet ta trajtojmë me respekt

Ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, deklaroi të hënën se Mali i Zi është mik i Kosovës dhe se qeveria e kësaj të fundit duhet ta trajtojë me respektin që meriton atë dhe të gjithë miqtë e saj, njofton Insajderi.

Por, sipas saj, e vërteta është se me qeverinë aktuale në Mal të Zi, gjërat janë më të komplikuara seç kanë qenë më parë dhe se Qeveria e Kosovës duhet të veprojë me më shumë përgjegjësi.

“Ne nuk guxojmë të veprojmë në mënyrë të papërgjegjëshme. Çështje të tilla duhet të trajtohen me delikatesë dhe larg presionit publik.

Mali i Zi është mik i Kosovës, dhe këtë e ka dëshmuar jo vetëm me qëndrime, por edhe me vepra në momente kyçe për shtetin tonë. Është mirë të trajtomë miqtë tonë me respektin që meritojnë”, u shpreh Çitaku.

Mediat malazeze raportuan të hënën se Ministria e Drejtësisë e Kosovës ka ngritur padi kundër Komunës së Budvës, në Mal të Zi dhe kompanisë “Sunraf Beach Areas”, duke kërkuar kthimin e 4 mijë e 500 metrave katrorë tokë në shtëtitoren “Rafailoviq”, vend ku dikur ishte vendosur një vendpushim për fëmijë./Insajderi.com