Çitaku në OKB: Transformimi i FSK-së është çështje e padiskutueshme

Çitaku në OKB: Transformimi i FSK-së është çështje e padiskutueshme

Në seancë për Kosovën që po mbahet në kuadër të mbledhjes së Këshillit të Sigurimit në Kombet e Bashkuara, ka folur edhe ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku.

Ajo ndër të tjera, ka folur edhe për sigurinë në Kosovë dhe nevojën e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura e gjithashtu për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL, transmeton lajmi.net.

Ajo gjithashtu ka thënë se Kombet e Bashkuara duhet të mburren që kanë ndihmuar themelimin e Policisë së Kosovës:

“Kombet e Bashkuara duhet të mburren që kanë ndihmuar të themelojnë Policinë e Kosovës. Kosova plotëson kushtet për të luftuar krimet ndërkufitare, ka ndihmuar në parandalimin e komploteve terroriste dhe në luftimin e grupeve të ndryshme radikale.”, është shprehur Çitaku.

Ajo gjithashtu ka folur rreth rëndësisë së anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL dhe ndikimin e këtij anëtarësimi në sigurinë evropiane e botërore.

“Kosova ka nënshkruar marrëveshje bilaterale me agjenci të ndryshme rreth botës, ne gjithashtu mund të kontribojmë në sigurinë evropiane dhe botërore e për këtë Kosova duhet të jetë pjesë e INTERPOL-it dhe nuk mund t akuptoj si mund të jetë humbje kjo për shtetin fqinj.”

Ajo gjithashtu ka treguar pse Kosova duhet ta kryej transformimin e FSK-së në ushtri:

“Duhet të theksoj se Kosova është duke formuar ushtrinë jo për t’u përfshirë në luftë ose për të pushtuar, por transformimi i FSK-së në ushtri, bën të mundshëm ndihmën e Kosovës në sigurinë në nivel global”, ka shtuar Çitaku.

Ajo ka vazhduar duke treguar se oficerët dhe ushtarët e Kosovës kanë shkëlqyer në çdo kompeticion dhe kanë dëshmuar se janë të gatshëm për të dhënë shumë për sigurinë.

Çitaku ka folur edhe për diversitetin dhe karakterin multietnik të Forcave të Sigurisë së Kosovës:

“Ne jemi shumë krenar që kemi Forcën e Sigurisë më diverse dhe ne në Kosovë diversitetin e shohim si force dhe si tipar që e çmojmë. Dhe është frikësuese të shohim një fushatë kaq të frikshme të Serbisë për të ndaluar transformimin e FSK-së.”

Çitaku ka theksuar se çështja e transformimit të FSK-së në ushtri është çështje e padiskutueshme dhe në asnjë mënyrë nuk paraqet shkelje të rezolutës 1244.