Ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, ka reaguar pas dorëheqjes së Rrahman Ramës nga pozita e komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Sipas saj, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka bërë shkelje të rëndë të ligjit dhe marrëveshjeve ushtarake me SHBA-në.
Në media është raportuar se shkak i dorëheqjes ishte presioni politik i Mehajt, por vetë Rama publikisht nuk e ka pranuar.
Por, Çitaku thotë se me veprime të tilla cenohet rëndë kredibiliteti i FSK-së si partnere dhe aleate.
“Gjeneral Jasharajt i dëshiroj suksese dhe mbarësi. Besoj fuqishëm se edhe komandanti i ri i ushtrisë do ta ruaj integritetin e FSK-së. Jam e bindur se do të dalë faqebardhë”, ka shkruar ajo në Facebook.
“Në fund fare, shteti është edhe ceremoni dhe simbolika. Gjeneral Rama e ka merituar të përcillet me nderime dhe ceremoni, sikurse që Gjeneral Jashari e ka merituar ta pranojë detyrën me ceremonitë që i takojnë një emërimi të tillë”./Insajderi.com